Home KRYESORE Manja: Kemi në proces një superhetim, zyrtarët abuzues mos ta bëjnë gjumin...

Manja: Kemi në proces një superhetim, zyrtarët abuzues mos ta bëjnë gjumin e qetë

Në një dalje për mediat këtë të premte, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka paralajmëruar se zyrtarët dhe ish-zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën do të jenë pjesë e hetimeve.

Ai tha se asnjë zyrtar që ka abuzuar me detyrën e shtetit nuk duhet ta bëjë gjumin e qetë.

Më tej, Manja ka bërë me dije se drejtoria anti-korrupsion ka në proces një superhetim, ku përfshihen ish- zyrtarë dhe zyrtarë të kadastrës nga veriu në jug me fokus të veçantë bregdetin.

“Asnjë zyrtar dhe ish-zyrtar abuzues me detyrën e shtetit tashmë nuk duhet të ndihet i sigurt dhe as ta bëjnë gjumin e qetë. Hetimi, kallëzimi dhe aksioni djeshëm ka ardhur pas kallëzimit të një qytetari. Dua të ftoj qytetarët se denoncimet nuk duhet t’i bëjnë vetëm pasi ata nuk zgjidhin hall. Nëse qytetari mbaron punë me zyrtarin dhe pastaj ankohet minimumi është bashkëpunëtor në nxitjen e korrupsionit në Shqipëri. Duhet ta zhdukim këtë mentalitetin e mbarimit të hallit me paligjshmëri apo duke paguar nën dorë. Nuk kemi mbaruar punë as në Kadastrën e Sarandës e as në të gjitha zyrat e Kadastrës. Drejtoria Anti-Korrupsion ka në proces një superhetim me të gjitha abuzimet me pronën publike dhe private nga veriu në jug me fokus të veçantë bregdetin. Dosja e hetimit e cila shtrihet në kohë, përfshihen ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Kadastrës pavarësisht rangut dhe detyrës që mbajnë dhe që shumë shpejt pas përfundimit të këtij hetimi rezultate konkrete do jenë në duart e SPAK”, deklaroi ministri i Drejtësisë Ulsi Manja./Opinion.al

Share: