Home KRYESORE Protesta/ Florian Binaj: Qeveria s’ka tokëzim me realitetin

Protesta/ Florian Binaj: Qeveria s’ka tokëzim me realitetin

Në lidhjen direkte me emisionin “Rudina” në Tv Klan, aktori Florian Binaj shfaqet në mes të protestuesve që tashmë ndodhen përpara Kryeministrisë. Skena e njohur e disa ditëve më parë është përsëritur sërish pas rritjes rishtaz të çmimeve që ka shkaktuar shqetësimin e qytetarëve.

Siç dihet, në këtë protestë qytetarët kanë refuzuar pjesëmarrjen e figurave politike, gjë që siç konfirmon Binaj, do të vazhdojë. Më tej, aktori ironizon deklaratat e disa ditëve më parë të qeverisë lidhur me çmimet duke i quajtur “mungesë tokëzimi” sepse nuk përkojnë me realitetin e qytetarëve.

Rudina Magjistari: Si është pjesëmarrja nga ana e qytetarëve? A ka personazhe të politikës sepse keni refuzuar t’i pranoni, si e keni menaxhuar këtë pjesë?

Florian Binaj: Ne e kemi refuzuar sepse të gjithë personazhet politikë që kanë 32 vite që dominojnë skenën shqiptare janë në njëfarë mënyre, kush më pak e kush më shumë, fajtorë për këtë gjendje që jemi ne sot. Ne vazhdojmë themi që këtë ligjin e ka bërë filan qeveri në filan vit dhe ne s’e lëvizim dot se e kanë bërë ata. Faji i kujt është në fund të ditës?

Për sa kohë në qeveri ka drejtues që thonë që me 140 Euro nuk quhesh i varfër normalisht ka gjëra që nuk shkojnë. Për sa kohë ka njerëz që thonë s’mund të shkoni me makinë për të blerë bukën apo diçka tjetër pa diskutim ka diçka që nuk shkon. Ka një mungesë tokëzimi të qeverisë me realitetin, nuk kanë tokëzim dhe duke mos pasur tokëzim, nuk kanë si e kuptojnë. Ose kanë këshilltarë të këqinj, ose kanë njerëzit përreth që i gënjejnë…

Rudina Magjistari: Si është duke shkuar protesta?

Florian Binaj: Asnjëherë s’ka qenë e dhunshme, ne ‘skemi shkulur një fije bari gjatë gjithë kësaj kohe, s’kemi hedhur plehra në tokë siç kanë bërë shumë protesta të tjera, s’kemi dëmtuar asnjë objekt. Tani që po flasim po këndohet himni kombëtar.

Rudina Magjistari: Cili është plani i zhvillimit të protestave, keni një axhendë gjatë kësaj jave?

Florian Binaj: Ne do vazhdojmë me protesta derisa qeveria të bëjë atë që është gjëja më e mirë për t’u bërë në këtë moment dhe që e kanë bërë të gjitha vendet e Ballkanit dhe të BE: lehtësimin e taksave./ Tv Klanhttps://www.youtube.com/embed/S6XcO1PB0Oc?feature=oembed

Share: