Home Gjeo-Ekonomia Rasti i ish-presidentit rumun Basesku hap siparin e prapaskenave të formimit të...

Rasti i ish-presidentit rumun Basesku hap siparin e prapaskenave të formimit të demokracive në vendet ish-komuniste

Nga Shaban Murati

Demokracitë, që lindën të helmatisura
Gazeta rumune “Romania journal” njoftoi në 23 mars se Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë e Rumanisë vendosi në 23 mars 2022, pas shqyrtimit të dokumentacionit zyrtar, se ish-presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, ka qenë spiun i sigurimit famëkeq të shtetit në Rumani, që quhej Sekuritate. Basesku, president i vendit për dhjetë vjet me rradhë në vitet 2004-2014, është akuzuar vazhdimisht nga mediat dhe forcat demokratike rumune për lidhjet me sigurimin e shtetit komunist. Në vitin 2019 Gykata e Apelit e Bukureshtit vendosi që ish-presidenti rumun ka qenë spiun i Sekuritates. Basesku e apeloi atë vendim dhe tani Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë mori vendimin përfundimtar se Basesku ka qenë spiun i sigurimit të shtetit komunist.

Demokracia rumune për dhjetë vjet me rradhë ka pasur në postin më të lartë të shtetit një spiun të sigurimit të shtetit komunist të diktatorit Çaushesku. Sigurimi i shtetit komunist e vendosi dhe i shtroi rrugën atij që të jetë në postet më të larta të shtetit gjatë 30 viteve të demokracisë, ku ka qenë qysh në vitin 1991 ministër dhe pastaj kryeministër dhe president i vendit. Basesku mbahet mend që në fillimet e karrierës demokratike se u mor me kontrabandëne naftës në ndihmë të regjimit kriminal të Millosheviçit nëpërmjet Danubit, në kohën kur ai regjim ndodhej nën embargo nga OKB për shkak të luftrave që Millosheviçi kishte shpërthyer në Jugosllavi.

Ironia është se Basesku, duke qenë nën betim, ka gënjyer dhe ka deklaruar se nuk ka qenë spiun i Sekuritates. Kjo krijon kushtin që pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Kasacionit në 23 mars ai të ndiqet penalisht dhe neni penal parashikon dënim deri në 2 vjet. Në bazë të vendimit përfundimtar të Gjykatës së Kasacionit dhe të Drejtësisë ish-presidenti Basesku humbet tani të gjitha privilegjet, që lidhen me postin presidencial, që ka pasur. Por si gjithë spiunët e posteve të larta të shteteve ish-komuniste, që nuk iu skuqet faqja, Basesku deklaroi se do të ankohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Rasti i ish-presidentit rumun Basesku hap siparin e prapaskenave të formimit të demokracive në vendet ish-komuniste dhe të rolit qendror të sigurimit të shtetit komunist në inskenimin e regjimeve demokratike dhe në caktimin e njerzve të lidhur me sigurimin, të cilët u vunë në krye të partive dhe të shtetit demokratik. Ka ngjashmëri tronditëse në skemat dhe në metodologjinë e formimit të demokracive të reja në vendet ish-komuniste, demokraci që lindën të helmatisura dhe patën në krye udhëheqës të helmatisur.

Tipike e ish-presidentëve dhe ish-kryeministrave spiunë të sigurimit të shteteve komunist është se edhe pasi kanë gëzuar dhe vjelur me dekada postet më të larta të shtetit, duan të ngordhin në kolltukun e pushtetit. Ish-presidenti rumun spiun në moshën 71 vjeç është sot deputet në parlamentin europian. Nuk ka ende informacion nëse parlamenti europian do të vazhdojë edhe pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë të Rumanisë të 23 marsit 2022 ta mbajë në rradhët e veta deputetin rumun spiun i nivelit të lartë i sigurimit komunist.
Pyetja një milion dollarëshe, që del nga shembulli tipik i ish-presidentit rumun, është:

Vallë vetëm në Rumani sigurimi i shtetit komunist organizoi ndryshimin e regjimit nga komunist në demokratik dhe helmoi demokracinë dhe vuri në postet më të larta të regjimit demokratik spiunët e vet?

Share: