Home KRYESORE Alqi Bllako! Waw! U zbulua! U kap. U kap një cironkë.

Alqi Bllako! Waw! U zbulua! U kap. U kap një cironkë.

BLLAKO SI DUKURI! Nga Fatos Tarifa

Të gjithë flasin sot për të. Sot më shumë flitet për Alqi Bllakon sesa per Berishën, per presidentin e vendit dhe për vetë kryeministrin “e jashtëzakonshëm e fuqiplotë” të vendit, Edi Rama.

Bllako. Bllako. Nje emër tërësisht obskur deri disa vite më parë. Një askush.

Dikush duket se ia njohu mirë karakterin, dobësitë dhe shërbimet që ai mund t’u bënte eprorëve të tij. E targetuan si individ. E rekrutuan në bandën e politikanëve të korruptuar për tu shërbyer padronëve të regjur që kërkojnë t’i ruajnë “të pastra” duart e tyre dhe të përdhosin ato të të tjerëve.

Dhe Bllako, një i ri naiv dhe me karakter të dobët, iu dha pushtetit të të tjerëve. Lakmoi të bëjë karrierë politike dhe zgjodhi më së pari LSI‐ne.

Kjo parti klienteliste, kur bashkëqeveriste me Partinë Socialiste dhe kur Bllako ishte fare i ri, vetëm 26, e bëri këtë djalosh ende me qumësht në buzë, Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit. 26 vjec. I sapo dalë nga bangat e shkollës, por militant i partisë. Besnik i Partisë. Pa asnje përvojë dhe pa provuar asnjë aftësi, veç besnikërise ndaj kreut të LSI-së.

Kur, 4 vite më vonë, ky i fundit u bë president i vendit, Bllakon, të cilit ia kishte çmuar shërbimet, e bëri Sekretar të Përgjithshëm te Presidencës. Gjashtë vite në këta pozicione shtetërorë të rëndësishëm e “aftësuan” djaloshin nga provinca e largët e Kolonjës dhe ia shtuan Bllakos oreksin për karrierë, për sukses dhe për para, por ia verbuan sytë dhe mendjen.

Duket se kryeministrit Rama dikush ia solli në vëmendje dhe Bllako e la funksionin që kishte në presidencë për t’u bërë, më 2019, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencise se Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Landfilleve. Në këtë funksion, të cilin ia “besoi” qeveria socialiste e kryeministrit Rama, mundësitë për të përfituar përmes abuzimit dhe shpërdorimit të detyrës ishin, sigurisht, më të mëdha se sa në predidencë dhe përmes tyre, Bllako, hajde merte vesh se si, për çfarë arsyesh dhe mbi bazën e cilave merita e kontribute në Partinë Socialiste, për habinë e shumë njerëzve dhe, pa dyshim, për habinë e autorit të këtyre radhëve, u gjend papritur në listën e sigurt të kandidatëve të kësaj partie për Tiranën, para emrave te disa personaliteteve të shquar të saj, si Fatmir Xhafa, Pandeli Majko apo Mimi Kodheli. “Çudi për tu çuditur”, do të thoshte Shekspiri.

Nga e gjeti Rama, si kryetar i PS-së, këtë “socialist”? Çfarë dinte për të? “Ç’merita i njohu dhe i çmoi? Diogjeni i lashtë, nëse do e kishte kërkuar me qiri tërë jetën një kandidat si Bllako, nuk do e kishte gjetur dot. Por ja që Rama ose ka qirinj më të mirë sesa ata të Diogjenit, ose ka nuhatje më të mirë se ai.

Dhe Bllako nga Kolonja u bë deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, për të më përfaqësuar mua, banorin 60 e kusur vjet të Tiranës në Parlamentin e kësaj republike dhe qindra mijëra banorë të tjerë të kryeqytetit dhe të qarkut të Tiranës.

Rënia e Bllakos ishte e shpejtë ashtu siç qe e shpejtë ngritja e tij. No surprise! Bllako ra viktimē e ambicieve të tij, e lakmisë për karrierë, pushtet dhe para. Por ai është, gjithashtu, viktimë e këtij sistemi që kemi ngritur, në të cilin, ato që çmohen më pak janë aftësite dhe meritat individuale dhe ato që çmohen më shumë janë servilizmi dhe shërbimet ndaj bosëve të tu.

Me zbulimin e njerëzve të tillë dhe viktima si ky Alqi Bllako, një cironkë fare e vogël, asgjë nuk ndryshon në sistem. Sistemi, përkundrazi, sofistikohet edhe më tej si nje sistem i padrejtë, i korruptuar e korruptues. Si Bllako ka qindra të tjerë. Alqi Bllako nuk është thjesht një person; ai është një dukuri.

Është e lehtë për kryeministrin Rama të thotë se përgjegjësia e politikanëve dhe e zyrtarëve të korruptuar kur shkelin ligjin është gjithnjë një përgjegjësi personale, por po kaq personalisht duhet ta shohë e ta ndiejë përgjegjësinë për venien e një individi si Bllako në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë të PS‐se edhe vetë ai, kryetari i PS-se, Edi Rama, që e ka bërë dhe e ka miratuar atë listë.

Kushdo duhet të mbajë përgjegjësi për atë që bën, aq përgjegjësi sa i takon. Për Ramën, ky rast duhet të shërbejë si një reminder për të parë e kuptuar se nga ç’njerëz rrethohet, cilët mban pranë, cilët largon, cilët promovon, cilëve u beson dhe me cilët këshillohet.

Without council there is no wisdom.

Share: