Home KRYESORE Elda ishte 30 vjeçe kur iku nga kjo botë dhe iku ditën...

Elda ishte 30 vjeçe kur iku nga kjo botë dhe iku ditën e ditëlindjes së saj…

Nga Laura Olldashi

Marr çantën dhe e hedh në supe. Dal në rrugë. Dielli është në formë. Petalet e luleve të kumbullave bien mbi asfalt dhe i mbulon si vellot e nuseve kurrë të martuara. I kam imagjinuar ato gra të veshura me fustan rozë antike; i gjatë deri në pafundësi. Mbi bishtin e tij shkruar të gjithat frazat e historive të dashurive që kishin premtuar vetëm fjalë për rrethin bosh të unazës. Pritjet e bënin më të gjatë atë fustan.

Këmbët e mia ecin mbi rrugën rozë antike, të pafundme, pa bërë asnjë lidhje me fantazinë, mendimin apo pavetëdijen. Nga larg shoh hijen e vrapit të një qeni. Hijen e shkopit që shtrëngon fortë në dhëmbë. Pastaj kthimi i tij tek padroni. Më larg, katër rrota të karrocës së një bebeje krijojnë dy viza të gjata vazhdimësie paralele që nuk bashkohen asnjëherë me njëra- tjetrën. Një dorë, patjetër, e shtyn. Por vështrimi im nis nga këpucët e bardha sportive. Ngjitet tek këmbët e holla, të gjata. Palat e fustanit lëvizëse si këmbana e lules së borës. Rripi i gjerë lidh belin dhe xhaketa lëkure mbledh supet transparente. Flokët e gjata të zbritura deri në vithe. Syzet e diellit i mbulojnë gjysmën e fytyrës.
……………………………………
…………………………………….

Heshtje!
Heshtje!
Kujtesa mbledh grimcat e harresës. I shkund gjatë si tapete plot pluhur. Pastaj i bashkon si puzzle dhe zbret memorien.

  • E njoh – i them vetes.
  • E njoh këtë vajzë!
    Ajo fillon dhe bëhet e prekshme brenda qënies time. E kam parë shpesh mbështetur mbi shpirtin tim. Kemi qarë, kemi qeshur bashkë. Vetëm që në këtë çast, emri më del i panjohur.
    Oh!
    Dridhem!
    Është Elda.
    Sytë e saj janë palosur mbi karrocë. Një tablo, pikture e përsosur. E rozta bie si fjolle dëbore mbi to. Gruaja – vajzë tundet e gjitha. Nga e majta në të djathtë sposton sipërfaqet e lumtura. Pastaj i flet me melodi bebes së bardhë që ja kthen me qarje të gjata. Sipër komunikimit të tyre cicërima zogjsh janë ndalur. Më parakalon në krahë. Shumë afër por është aq e zënë me foshnjen sa nuk më njeh. Kthej kokën mbrapa. Siluetat më largohen. Horizonti mbush kornizën që mbetet bosh.
    I roztëëë si velloja e një vajzë kurrë e martuar!
    Me rrethin e unazës bosh.

Pastaj kthehem tek mendimet. Janë të ftohta. Ngrica i ka mbështjellë. Një onde e guximshme vetëdijeje më flet që Elda ka tre vjet që ka vdekur……. dhe tiiiiii e di këtë!


Në një tjetër botë, në të tjera livadhe jeshile, tek një tjetër diell i kuq, gruaja-vajza e vdekur është bërë nënë!

Vetëm atëherë kuptoj që në rrugë, në tokën ku eci takova “Ringjalljen e ëndrrës së saj”.

~Laura Olldashi

Milano, 17 prill 2022.
Dita e Pashkëve

Share: