Home KRYESORE Më del hera herës përpara ky poster këtu në fb dhe çdo...

Më del hera herës përpara ky poster këtu në fb dhe çdo rradhë që më del më shkakton trishtim…

Nga Armir Shkurti

“Arti është frut pas buke”- thoshte i ndjeri, miku im Aleksandër Lalo. Pra nuk është bukë. Kjo foto e artistit që kafshon instrumentin më solli ndërmend Çaplinin tek “Ethet e arit” kur nga uria ha këpucën.

Mbase marketingu ka kuturisur të shprehë zotësinë e artistit. Ne e kemi si shprehje: “ai e ha me dhëmbë…” pra e zotëron aq mirë sa… Por kemi edhe tjetrën: “Ai këtë e bën edhe me bythë”. Që do të thotë “e ka aq e thjeshtë për të për ta bërë”. Shyqyr që s’u ka shkuar mendja tek kjo. …apo e kanë ruajtur si sllogan për ndonjë klarinetist?

Si gjithë fëmijët edhe unë kam provuar disa kurse. Ndër to edhe violinën. Mjeshtri i Pallatit të Pionierit të parën gjë që na mësoi , ishte shenjtëria e instrumentit. Në të luhet por me të nuk luhet!

… Në shqip ne i themi “vegël”. Njëlloj si mistrisë, çekiçit, matrapikut… madje edhe atij mikut ne “vegël” i themi. Nëse edhe violinën e quajmë “vegël”, pastaj mundet me të edhe të çajmë arra, të gjuajmë për kangurë, të vrasim minj, të trazojmë groshën ose edhe ta kafshojmë…

Ky muzikanti tashmë ka një emër të madh. Falë atij instrumenti aq delikat. Në vend të kafshimit dhe agresionit në dhëmbët dhe ngërdheshjen e posterit, një puthje mbi të do të më kish bërë edhe mua ta bleja biletën 10 mijë lekë të reja , për ta dëgjuar në koncert e ti jepja dorën pas tij.

Qymyri po s’të dogji të nxin – themi në Shqipëri. Vulgarizimi që i ka bërë artit mafja përkatëse vështirë se do linte pa prekur edhe artistë me emër si ky me violinë. Kësaj mafje i duhet spektakli jo muzika. I duhen shalë, bythë, cica, xixa jo muzikë. Jo kulturë.

Pra, nëse buka e ka detyruar këtë zotërinë të japë dy net koncert, është krejt i ndershëm me foton në poster, se vegla është bukë. Siç është për plot gërrnetaxhin, mandollaxhinj e të tjerë që masakrojnë “tumankuqen” 145 herë dita në sheshin Skënderbej për bukë.

Nëse ka ardhur të na shprehë mjeshtërinë si muzikant, nderi ia do ta bëjë me gishta mbi tela dhe krahun elegant që luan harkun.

Gjithësesi, suksese artistit! Uroj që arti dhe kultura e tij në skenë të mos ketë asnjë lidhje me çka shpreh ky poster komercial…

Share: