Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky i ka cilësuar sanksionet e fundit të vendosura ndaj Rusisë të pamjaftueshme.
Në fjalimin e tij të fundit, Zelensky i bën thirrje perëndimit të shkojë më tej dhe të ndalojë importin e naftës ruse.
Ai thotë se dështimi për të rënë dakord mbi një embargo të naftës ruse po i kushton jetë njerëzve ukrainas.
Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë, dhe më shumë se gjysmën e saj e eksporton drejt Evropës.
Importet ruse përbëjnë 8% të kërkesës totale të naftës në Mbretërinë e Bashkuar dhe 3% në SHBA.
Zelensky thotë se Kremlini po fiton aq shumë nga eksportet e naftës sa nuk ndjen nevojën për t’i marrë seriozisht negociatat e paqes.
Ai shton se do të vazhdojë të këmbëngulë që bankat ruse duhet të shkëputen tërësisht nga sistemi financiar ndërkombëtar.
Me sanksionet e reja u goditën disa nga bankat më të mëdha të këtij vendi si dhe familjarët e ngushtë të presidentit Putin dhe ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov.