Udhëheqësi suprem i talebanëve urdhëroi gratë që të veshin burkën në publik me dekret, duke e kthyer historinë pas mbi 20 vjetësh.
Vendosja e burkës është e motivuar nga fakti se “është tradicionale dhe respektuese”, sipas liderit suprem taleban Hibatullah Akhundzada, i cili nënshkroi dekretin e bërë publik të shtunën nga qeveria talebane para shtypit në Kabul.
“Gratë që nuk janë as shumë të reja dhe as shumë të vjetra – thuhet në dekret – duhet të mbulojnë fytyrën para një burri që nuk është anëtar i familjes së tyre”, për të shmangur provokimin.
Por jo vetëm kaq: nëse nuk kanë një detyrë të rëndësishme për të kryer jashtë, është “më mirë të rrinë në shtëpi”.
Një vendim që e kthen historinë mbi 20 vjet. Talibanët në fakt kishin imponuar përdorimin e burkës gjatë periudhës së tyre të parë në pushtet midis viteve 1996 dhe 2001, e shënuar nga një shtypje e fortë e të drejtave të grave, bazuar në interpretimin e tyre radikal të Sheriatit, ligjit islamik.
Pas marrjes së pushtetit në mesin e gushtit, duke i dhënë fund qëndrimit 20-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, të cilët i kishin rrëzuar në vitin 2001, talebanët kishin premtuar këtë herë të ishin më fleksibël. Por brenda një kohe të shkurtër ata filluan ta thyejnë këtë premtim, duke gërryer gradualisht dhe në mënyrë të vazhdueshme të drejtat dhe liritë e grave. Gratë aktualisht janë kryesisht të përjashtuar nga punët publike dhe u ndalohet të udhëtojnë vetëm. Dhe marsin e kaluar, talebanët mbyllën shkollat e mesme dhe kolegjet për vajzat, vetëm disa orë pas rihapjes së tyre të paralajmëruar prej kohësh./Opinion.al