Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim këtë mbrëmje dha një mesazh para shqiptarëve duke u shprehur se “bashkimi bën fuqinë”.
Ajo foli në një aktivitet në Tiranë, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.
Yuri Kim u shpreh se nga Shqipëria ka mësuar dy gjera, që Shqipëria është vendi i shqiponjave dhe shprehjen e heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu se “bashkimi bën fuqinë”.
“Është një mbrëmje e bukur për të festuar 100 vite së bashku. Kemi kaluar shumë gjëra së bashku, por ja ku jemi sot këtu. Kjo e sotmja është mbrëmja më e pëlyre për mua. Nuk ka lidhje me muzikën, por me Rock & Roll. Ka të bëjë me lirinë, me shpresën, por edhe me rebelimin.
Nëse mendojmë për gjerat që na trishtojnë apo lumturojnë gjithmonë ka të bëjë me të ardhmen. Po lexoja disa prej komenteve që kisha bërë për postimin e sotëm, një prej pyetjeve thoshte kështu: Çfarë kisha mësuar diçka nga Shqipëria?
Nëse kam mësuar diçka për Shqipërinë është vendi i shqiponjave, sepse që të dy popujt tonë janë popuj shqiponjash, jemi popuj që ngrihemi lart në fluturim. Gjëja e dytë është ajo që ka thënë heroi Gjergj Kastriot Skënderbeu “Bashkimi bën fuqinë”.
Të gjithë e dimë vlerën e saj. Në këtë 100-vjetor le të qëndrojmë bashkë, të ecim drejt së ardhmes, Shqipëria dhe Amerika së bashku”,-tha Kim.