Nga cikli ‘Monopatet e ironisë, Çapajev Gjokutaj
Kjo foto, e shkrepur parmbrëmë në takimin e Selanikut, ka në qendrën e supozuar kancelarin gjerman Scholz, por mesazhin e përcjell periferia e saj, më saktë raportet mes Vjosa Osmanit dhe Edi Ramës, të pozicionuar në cepin e djathtë.
Ndryshe nga pjesmarrësit e tjerë, që janë pranë e pranë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe presidentja e Republikës së Kosovës janë një në Hind e tjetri në Jemen, siç thuhej qëmoti.
Veçse problemi nuk është aq tek distanca fizike. Po ta shohësh me vemendje foton, mes tyre protokolli mund të ketë caktuar të ulet dikush tjetër (gota dhe servisi i tepërt) dikush që atë moment fillimi mungon.
Por përtej këtij detaji, gjuha e trupit e të dyve dëshmon dëshirë për mungesë totale komunikimi. Kjo bëhet më bërtitëse ngaqë përcjellësi i fotografisë i ka futur një të prerë mespërmes kryeministrit Rama.
Punë paparacësh, mund të thuash, por kur merr vesh se fotoja është përcjellë në rjet nga presidentja Osmani, e kupton se s’kemi të bëjmë me marifete paparacësh, po me një urrejtje absurde, të denjë për dykëmbëshit e rrugës.
Siç është e kuptueshme populli shqiptar i rjetit e shoqëroi foton me komente të shumta, që fajësonin herë presidenten, herë kryeministrin e herë të dy bashkë.
Tek i lexon të vjen të thuash: Kot e lodhni shqipen, ngjarja është e re, por dukuria është e stërlashtë. Për të Fishta shkruante: “Troç, dy fjalë, kombit mbarë,/ Sy më sy me ja thanë deshta:/ Ma zor mblidhen dy shqyptarë,/ Sesa mblidhet nji thes me pleshta.”
Mesele e vjetër, aktorë të rinj! Por edhe diçka tjetër mbetet po aq e vjetër: fajin doemos na e kanë kurdoherë fqinjët, herë serbi e herë greku🤡
( Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ )