Home KRYESORE A mund të vdesësh nga nxehtësia? Efektet që ka në trupin tonë...

A mund të vdesësh nga nxehtësia? Efektet që ka në trupin tonë vapa e fortë e këtyre ditëve

Vala rekord e të nxehtit që po godet Evropën nuk ka shenja tërheqjeje. Sipas parashikimeve, të paktën deri në fillim të javës së ardhshme do të duhet të luftojmë kundër efekteve të kësaj vape të jashtëzakonshme, e cila ka ngritur temperaturat në të gjithë vendin deri në 40 gradë.

Por, përveç ndjenjës së shqetësimit, çfarë ndodh me trupin tonë kur detyrohet të jetojë me temperatura kaq të larta për periudha të gjata?

Ndërsa temperatura e jashtme rritet, enët e gjakut zgjerohen. Si rezultat, presioni bie dhe zemra duhet të punojë më shumë për të çuar gjakun në gjymtyrët e trupit.
Temperaturat e larta, të kombinuara me një nivel të lartë lagështie, rrisin ndjeshëm djersitjen duke shkaktuar humbje të kripërave minerale.

Të gjitha këto dukuri mund të shkaktojnë marramendje, të përziera, ngërçe muskulore, ndjenjë rraskapitjeje, dhimbje koke, lodhje. Dhe nëse presioni i gjakut bie shumë, rreziku i sulmit në zemër bëhet real.

Pse ndodh kjo? Trupi ynë është “projektuar” për temperatura rreth 37 °C, ndërsa shumë nxehtë ose shumë ftohtë e vendosin atë në krizë. Kur nxehtësia bëhet e tepërt, trupi përdor shumë energji për t’u ftohur, enët e gjakut zgjerohen dhe lëkura mbulohet me djersë, kështu që djersa mund të ndihmojë në uljen e temperaturës së trupit.

Por nëse ajri është i lagësht, djersa nuk avullohet, sistemi i ftohjes nuk funksionon dhe rreziqet rriten.
Në fakt, ju mund të vdisni nga vapa.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve shëndetësore evropiane, në vendet e BE-së të prekura nga valët e fundit të të nxehtit, ka pasur vërtet shumë më shumë vdekje se mesatarja e viteve të mëparshme. Nga data 11 deri më 17 korrik, Spanja numëroi 510 të vdekur nga i nxehti, ndërsa në Portugali viktimat në të njëjtën periudhë ishin më shumë se 1000.

Duhet pasur parasysh se disa ilaçe mund të rrisin rreziqet e shkaktuara nga nxehtësia, ata që marrin diuretikë, të cilët favorizojnë humbjen e lëngjeve, apo ilaçe kundër hipertensionit, duhet të konsultohen me mjekun për të verifikuar terapinë. Në mënyrë të ngjashme, disa medikamente të përdorura për të trajtuar epilepsinë ose sëmundjen e Parkinsonit mund të zvogëlojnë djersitjen dhe për rrjedhojë aftësinë e trupit për të rregulluar termorregullimin.

Por cila është temperatura ideale për njerëzit? Sipas shkencëtarëve, temperatura ideale për të jetuar mirë është 22 °C. Trupi është në rregull dhe klima e butë ju bën të dëshironi të dilni, të bëni aktivitet fizik dhe të shoqëroheni.

360grade.al

Share: