Të tjera detaje vijojnë të bëhen publike lidhur me atentatin e trefishtë që i mori jetën shënjestrës së këtij atentati Brilant Martinaj dhe dy miqve të tij, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata pasditen e së dielës në mbikalimin e Fushë Krujës.
Ndërsa grupi hetimor ka mbledhur provat në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e saj, duken se dyshimet e para flasin për 4 persona të përfshirë në atentat, me origjinë nga Nikla.
Informacionet paraprake jozyrtare bëjnë me dije se mjeti i autorëve i është afruar mjetit të viktimave dhe pasi e ka parakaluar duke i zënë rrugën, tre prej autorëve kanë zbritur nga makina duke qëlluar në drejtim të personave brenda në automjet.
Si rezultat Martinaj dhe Hoxha kanë mbetur të vrarë brenda në makinë, ndërkohë që Vata ka arritur të dalë nga automjeti i gjallë. Por duke e parë këtë veprim autorët janë kthyer pas duke e qëlluar sërish, çka ka bërë që 30-vjeçari Vata të ndërrojë jetë i qëlluar në rrugë.
Ka dyshime se Vata mund të ketë shkëmbyer zjarr me autorët, por kjo nuk është ende e konfirmuar, ndërkohë që në vendngjarje, policia ka gjetur 3 lloje gëzhojash. Ndërkohë gjithashtu informacione jo zyrtare, thonë se ka dyshime që mjetit t’i jetë vënë zjarri nga autorët e ngjarjes, ndryshe nga sa u besua në fillim që kjo kishte ndodhur prej goditjes me plumba në zonën mbajtëse të karburantit./Opinion.al