Nga Laura Olldashi
Rrotulloj akrepat e orës. I kthej katër vjet mbrapsht. Futem në dhomën time të gjumit. Ngjyra rozë e atëhershme, ka lyer muret. Krevati bosh, çarçafët e rrëmujshme, abazhurët, pikturat e rrëzuara në tokë dhe pak më larg trupi im i shtrirë mbi parketin e drurit. Kishte kohë që rrinte aty. Pa forcë. Kokën mbledhur në mes të dy krahëve. Nuk qante, vdiste. Ato pak herë që hapte sytë shikonte hijet e vajzës së saj dhe të mamasë që nuk kuptonin çfarë ndodhte me “gjigantin” e jetës së tyre. Kalon kohë por ai trup nuk ngrihet. Dritat e ditës ndizeshin, të natës shuheshin sërisht. As vetë nuk e di sa kohë qëndrova. Atëherë nuk kuptoja çfarë ndodhte me mua por ndjeja që isha shumë e lodhur. E pakuptimtë kishte formë “gjithçkaja”. Gjymtyrët nuk mbanin. Vizat e gjata ku kisha futur trupin ishin fshirë dhe qenia ime ishte derdhur e gjitha. Me vështirësi dalloj zemrën sepse ishte bërë trasparente. Vetëm sot kuptoj që trupi im kishte ikur shumë larg. Ishte realizuar. Ndërsa zemra kishte dhimbje dhe ndihej e vdekur. Ato pak momente që kisha qartësinë për të bërë diçka e marr atë “pak formë ” dhe e pyes çfarë nuk shkon? Nuk mora përgjigje. Ajo më shihte me sy gjysmë – mbyllur dhe tkurrej çdo ditë e më shumë. “Lëkurë Shagreni” do të kish thënë Balzaku. Por unë nuk e kisha shfrytëzuar për të plotësuar dëshirat. Aty kisha hedhur të gjithë dëshpërimin tim për të pasur jashtë një sipërfaqe të përkryer dhe të lumtur. Në ditët që do vinin do ulesha me të dhe do dëgjonim muzikë. Pastaj filluam të imagjinonim “asgjë-në” dhe më vonë të rimerrja pasionin e shkrimit. Ditët e para kemi qarë të dyja aq sa prekja me dorë dhimbjet. I përkëdhelja gjatë dhe i jepja kuptim ekzistencës së tyre. Më vonë, mbas pastrimit të errësirës shoh drita të vogla që marrin përmasa të konsiderueshme. Dhe sa më shumë shkruaja aq më shumë dashurohesha me ato dhe me zemrën time. Kuptoja që brenda meje kisha një ujëvarë bukurie të mrekullueshme. Do të thoni të gjithë, që kjo ishte dhe është magji. Ashtu e konsideroj edhe unë por kishte edhe “jo-të” e veta. Unë shihja pak bukuri jashtë meje. “Atje” kishte njerëz të dëshpëruar që viheshin në luftëra të kota me njeri-tjetrin, kishte errësirë që i bënin të vdisnin duke jetuar, kishte urrejtje, egoizëm, inate që përplaseshin edhe tek unë. Të themi që ndryshimi im nuk u kuptua dhe nuk u pranua. Kjo më bëri që të rrijë gjatë me veten dhe të shkruaja me kohën që mblidhja. Komunikoja me figurat e mia imagjinare, me njëriun, me shpirtin, me rrëzimet, urrejtjen, deluzionet, dashurinë. Shumë kam ndejtur me puthjen. Pastaj i jepja tituj çfarë shihja brenda shpirtit dhe i shndërrova në tregime, mrekullitë që prekja aty.
Ja kështu linde ti Ātman!
Nga një kaos. Nga kurioziteti im për të parë në sy rrëzimin tim dhe për ti dhënë një emër. Por nuk e kisha imagjinuar dashurinë që ti do më jepje. As kuptimin dhe shndërrimin bukur që i bëre ekzistencës së jetës time.
Ti do të rrish gjatë tek njerëzit. Në atë distancë në mes kokës dhe duarve. Afër, puthitur tek zemra. Do të prekesh nga shumë njerëz. Do të dyshojnë mbi vërtetësinë tënde. Do ti dukesh i brishtë sepse je delikat. Do kuptojnë me vështirësi lirinë tënde. Do ti dukesh i ftohtë, indiferent sepse nuk je për të gjithë. Do ti dukesh Grua, herë herë shqiponjë me krahë të vërteta.
Por kudo që do shkosh, kudo ku do ndalesh, kur lexuesi të jetë në faqen e fundit, ti do ti kesh bërë më të bukur! Do t’ja kthesh zemrën që ashtu si unë një herë e një kohë, ja kisha harruar kuptimin.
Udhëto bukur dhe lehtë Ātman!
Një falenderim pafund për Zotin Rexhep Shahu , redaktorin dhe botuesin tim.
Një përqafim vajzës time që u kujdes për kopertinën e Renè Magritte dhe titullin e librit “Ātman”. Ajo beson tek vetja, tek puhiza e jetës, në forcën e shpirtit të individit dhe në fishekzjarret që merr universi kur shpirtat e bukur bashkohen!
Një falenderim për secilin nga ju, një nga një. Ju që më mbështesni me prezencën tuaj; ju që rrini në heshtje; ju që bëheni muzë dhe shembull i bukur për mua; për çdo njëri që ndjen, prek, beson sinfonin e ngjyrave të dritave që kam mundur të sjellë me ekzekutimet e mia mbi shpirtin!
Librin “Ātman” e gjeni në Librari Art’s pranë stacionit të trenit, Tiranë.