Home KRYESORE DO TË ISHTE MIRË QË… Nga Mark Simoni

DO TË ISHTE MIRË QË… Nga Mark Simoni

Nuk mund të dremisësh e të të mbajë vendi, pasi të keshë dëgjuar “Korin e Pelegrinëve” të Vagnerit, këngën e Antonio Machados për udhëtarët e përjetshëm.

Nuk më hiqet nga mendja pasazhi i librit të J. Bllacit se, edhe sot, nga të katër anët e Rusisë, admirues të Sergej Eseninit marrin trenat dhe me nga një tufë lule, shkojnë në Sant Peterburg tek shtëpia e poetit.

Nuk të rrinë këmbët pa veshur këpucët për të shtegtuar, kur merr vesh se akoma dhe sot ruhen pjesë nga një këngë franceze pelegrinësh e shekullit të 12 thurur nga Chretien.

Nuk të është shpirti rehat kur ke përpara disa nga poezitë më të famshme për pelegrinët, (të Ruben Blades, Jose Rodrigues Ferreras, Juan Ruis, dhe Luis Cernuda apo të madhin Ungareti me “Pelegrinon” e vet shkruar gjatë luftës).

A ka shoqëria shqiptare udhëtarë misionesh për letërsinë.

Pak, për të mos thënë aspak. Shëndrisin në tërë këtë mungesë ngjarjesh vetëm udhëtimet e poetëve, të organizuar nga “Klubi i poezisë”, gati udhëtime të shenjta, mbasi është shkuar pikërisht tek varret e atyre që u pushkatuan apo u burgosur, atyre që ua mbyllën dhe lanë në harresë letërsitë.

Sot do të qe mirë të ishte një ditë pelegrinazhi e krijuesve shqiptar të letërsisë, të ishte udhëtimi i atyre që i kanë shkruar me qindra poezi Itakës, u kanë bërë këngë Mekave shpirtrore të tyre, kanë thurur vargje për vendet e Muzave.

Fantazia e shkrimtarëve dihet se mbërrinë atje ku nuk arrijnë dot as këmbët. Dhimbja e krijuesve është më e thekshme se dhimbja e kujtëdo tjetër, dhe e kuptoj se, edhe nëse nuk dalin sot edhe nga shtëpia, destini i tyre shpirtror besoj se është në Bërzeshtë të Librazhdit, atje ku si sot para 45 vitesh shteti bëri një nga turpet më të mëdha dhe një nga aktet më gjakatare, duke vrarë dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Njëri 36 dhe tjetri 29 vjeç. Nuk e di se nga çfarë errësire ka dalë ndërgjegja e atyre që firmosën dhe i dënuan këto dy djem që shkruanin letërsi.

Me ato dy djem të talentuar që s’janë më, besoj se letërsia shqipe do të ishte të paktën diçka më e mirë nga çështë sot.

Share: