Home KRYESORE Nga cikli ‘Shezlongu i meditimeve’:

Nga cikli ‘Shezlongu i meditimeve’:

Nga Çapajev Gjokutaj

Tri vajza të reja, shtatlarta dhe elegante po dalin nga deti. Pamja ka diçka nga ‘Lindja e Venusit’. Megjithëse mungon guaska e tablos së Botiçelit, në hapsirën rreth tyre ndihet finesa dhe përkryerja e perlës.

Më vjen ndër mend që gjyshja ime guaskat i quante xhixhivalle, si të thuash vallzim zonjash a zonjushash. Pastaj krejt pa lidhje më kujtohen vargjet e një kënge të vjetër: ‘Hidhe këmbën, kapto gardhë/ të të shoh pulpën e bardhë’.

Pulpat e vajzës, që feksin nën fustan si bark peshku në ujrat smerald të buzëmuzgut, duket se kanë diçka nga joshja e Venusit të Botiçelit. Ngjan e çuditshme, që edhe edhe prania e trupit femëror, edhe mungesa a mbulimi i tij, shërbejnë si burim poezie.

Kjo puna e mbulimit më kujton atë shpotinë për tangat: ‘Dikur futej bytha në brekë, tani hyjnë brekët në bythë.’ Dhe nis e vras mendjen pse trupi i xhveshur ngjall herë admirim e herë nervozizëm, shpoti e turp.

Vetëm një gjë njeriu e ka kërkuar kudoherë lakuriq: të vërtetën. Për ironi në të gjitha kohërat kjo i është servirur e mbular, herë nga ferexhetë e ideologjive e herë nga hixhabët e propagandës.

( Nga cikli ‘Shezlongu i meditimeve’ )

Share: