Nga Neviana Shehi
Njëqind herë i kisha thënë
se s’ishte graviteti që më tërhiqte drejt tij
po arkitektura e thjeshtë
dhe kaq tërheqëse e mendimeve
Këndi që formohej në çastin
që ai ulte paksa kokën
dhe mënyra kaq e sinqertë e psherëtimës
sidomos kjo e fundit
brenda së cilës fshihej kaq dhimbje
dhe zhgënjim
Por edhe një libër i tërë kujtimesh
që s’kishte forcë t’i shfletonte
Megjithatë ai tundte kokën
me mosbesim të dukshëm
Kishte një mendim tjetër nga unë
të njëjtë me atë të Romero Gonzales
kur i thashë se dashuria mes dy njerëzve
më shumë se kaq është dhe kureshtje
Përpara shkrirjes së trupave
ndodh edhe një lloj eksplorimi
në distancë
ndërsa hedh pas krahëve
kujtimet e shkuara me ty
më përforcohet bindja
se ne njerëzit
kemi shumë të përbashkëta
me etjen e varkave
për t’u përqafuar me ujërat
Rrymat e brendshme që lëvizin nën to
janë mendimet e tyre sekrete
dhe thirrjet joshëse të tyre
për t’u njohur me to
nëpërmjet përqafimit