Ambasada Amerikane ka paralajërmuar qytetarët e saj në Shqipëri, lidhur me protestën që do të organizohet sot nga opozita. Në një njoftim të shpërndarë në publik, Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë të shmangin zonat pranë zhvillimit të protestës, që sipas saj ka potencialin të përhapet në rrugët përreth.
“Ditën e enjte, datë 7 korrik 2022, me fillim në orën 19:00, është planifikuar të zhvillohet një protestë përpara Kryeministrisë në Blvd Dëshmoret e Kombit. Këto protesta kanë potencialin të përhapen në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, njofton Ambasada Amerikane./Opinion.al