Nga Rame Lahaj
E kam marrë në krah dhe e kam përqafu sa herë më asht’ dhanë mundësia, kur kemi qenë në ngjarje të përbashkëta. E kam shtrëngu fort se asht’ vetë dashnia. Për Erzën, kritika botërore thotë se ajo të rrënqethë trupin kur këndon. Nuk ka se si të jetë ndryshe; rrënjët e saj janë nga Drenica, vatra më e vujtun në Kosovë. Në zanin e saj krejt natyrshëm ndjehet krenaria, dhimbja, vuajtja dhe fitorja jonë.
Erza e ka pasë fatin të rritet e të shkollohet në Evropë, në sistemet më të mira edukative, ndërsa ne në Kosovë kemi plot talente që sot nuk e kanë një mundësi të tillë. Po mbledhemi të gjithë së bashku jo veç për ta festu suksesin e Erzës bashkë me mërgatën tonë, por edhe të ndihmojmë me donacione përmes shitjes së biletave për këtë koncert unik, duke mbështetur talentet e reja që nuk kanë mundësi financiare.
Miq, nuk kam dashtë kurrë që ju të paguani për koncertet e mia, andaj edhe festivali është i hapur dhe pa pagesë. Mirëpo, në mbrëmjen gala kemi vendosur të mbledhim fonde përmes shitjes së biletave, për ata studentë të cilët nuk mund t`ja dalin vetë. Me biletën që do ta bleni, jo vetëm do ta përjetoni një koncert krejt unik në sheshin e qytetit, shoqëruar me artistë e yje nga e mbarë bota, si kurrë më parë, por edhe do të mbështesni talentet e Kosovës.
Faleminderit për respektin, dashninë e besimin që ma dhuroni, përherë.
I juaji,
Rame