Home KRYESORE Rënia e shtetit digjital/ Sulmi kibernetik erdhi nga dy drejtime të ndryshme!...

Rënia e shtetit digjital/ Sulmi kibernetik erdhi nga dy drejtime të ndryshme! Sekuestrohen 4 llogari, dyshime se u përdorën nga hakerat

Prokuroria e Tiranës ka lajmëruar zyrtarisht ditën e djeshme se po heton për katër vepra të ndryshme penale, të cilat dyshohet se janë konsumuar nga ata që organizuan sulmin ndaj shërbimeve online të qeverisë shqiptare.

E ndërkohë që kjo e fundit prej ditësh lë të kuptohet se sulmet janë herë nga dy shtete e herë nga një, prokuroria në parashtrimin e punës hetimore bën me dije se ka sekuestruar katër llogari, me anë të të cilave pretendohet të shkohet te kanalet nga ku është realizuar edhe sulmi që hodhi në “tokë” të gjitha shërbimet që qeveria ka në dispozicion të qytetarëve. E ndërsa pritet që të identifikohet të paktën njëri nga shtetet armike që na ka sulmuar, ose të dy, ekspertët e krimeve kibernetike duket se kanë vendosur ta nisin nga vendi i sulmuar hetimin.

PËRQENDRIMI I HETIMIT

Sipas të dhënave zyrtare, bëhet me dije se Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet sa i takon sulmit të njëkohshëm ndaj shërbimeve qeveritare që shkaktuan më pas vështirësi për qytetarët shqiptarë në marrjen e shërbimeve. Mësohet se hetimet kanë nisur për 4 vepra penale, konkretisht: “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrje në sistemin kompjuterik” dhe “Keqpërdorim të sistemit kompjuterik”. “Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka nisur hetimet për ndërhyrjet dhe sulmin kibernetik të kryerndaj portalit ‘e-Albania’, që sollën mbylljen e përkohshme të shërbimeve online. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedim penal për veprat penale: ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’;

‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’; ‘Ndërhyrja në sistemet kompjuterike’; dhe ‘Keqpërdorimi i pajisjeve’, parashikuar nga nenet 293/ 1, 293/b, 293/c dhe 293/ç të Kodit Penal”, u tha në njoftimin zyrtar të organit të akuzës. Hetimet, siç thuhet zyrtarisht nga prokuroria e kryeqytetit, drejtohen nga kryeprokurori i Tiranës, Arens Çela, e gjithashtu nga prokurori Bledar Valikaj, por pjesë e hetimit që konsiderohet tepër i rëndësishëm për autoritetet e drejtësisë, janë edhe një ekip i njësisë C në Policinë e Shtetit, si edhe është kërkuar ndihma e agjencive ligjzbatuese. Duke qenë se thuhet në rrugë jozyrtare, hetimet po drejtohen drejt mundësisë së një sulmi kibernetik për të destabilizuar vendin, mësohet se ky dyshim prej më shumë se 24 orësh ka marrë përparësi në shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Grupi hetimor mësohet se e ka në fokus parësor këtë pistë, edhe pse hetimi ka nisur nga llogaritë dhe serverat e portalit. DYSHIMET Referuar të dhënave nga prokuroria, bëhet me dije se hetimet janë shtrirë në disa pista konkrete. Ato nisin te kontrolli i sigurisë, duke kaluar në filtër të gjithë parametrat, pasi nuk është e pakët vlera monetare që përdoret për këtë shërbim e deri te lënia e ndonjë gjurme nëse bëhet fjalë për sulm të shërbimeve të huaja, ku dyshimet më të mëdha bien te një grup hakerash rusë, të cilët janë të vendosur në vende të ndryshme të botës dhe të shtetit të Iranit. Për të dyja këto dyshime në fakt foli edhe vetë kreu i qeverisë për disa ditë më radhë, duke treguar se Shqipëria dixhitale ishte sulmuar nga shtete armike dhe se ekspertët, në bashkëpunim edhe me NATO-n, po luftonin për t‘i rikthyer këto shërbime.

Agjencitë ndërkombëtare ofrojnë ndihmë për ekspertët e hetimit në Shqipëri

Sipas të dhënave që vijnë nga grupi hetimor, bëhet me dije se është kërkuar ndihma e agjencive ndërkombëtare, ku edhe është vendosur sekuestro për 4 llogari që dyshohet se janë përdorur nga hakerat kibernetikë.

Burimet në fjalë thanë se llogaritë e sekuestruara konsiderohen si llogari të përdorura nga hakera dhe rezulton se kanë sulmuar njëherazi dhe në mënyrë të organizuar shërbimet qeveritare në Shqipëri. Ndonëse dy ditë më parë u bë me dije nga AKSHI se janë rikthyer disa shërbime dhe pritej që të ktheheshin edhe të tjerat, sipas të dhënave, në fakt këto shërbime ende nuk u ofrohen shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërie.

Prokuroria bën me dije se ende nuk janë kryer verifikimet e sakta se çfarë është dëmtuar ose jo në servera e llogari, duke saktësuar edhe një tjetër punë intensive që do të ketë ky grup hetimor mbi verifikimin e sulmit që goditi dhe mori faqet online të qeverisë shqiptare. Ndërkohë që ka dyshime se këto sulme vijnë nga jashtë Shqipërisë, nga një vend tjetër, por pa u specifikuar se cili është ky shtet jo mik për Shqipërinë.

Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Burime bënë me dije se ka dyshime që sulmi mund të jetë rus. Kjo vjen pas sanksioneve që ka vendosur Shqipëria ndaj Rusisë dhe qëndrimin që mban për luftën në Ukrainë.

Metodat e goditjes, të ngjashme me disa vende të Europës

Sulmi kibernetik në platformat qeveritare online ka ardhur nga e njëjta dorë që ka bërë sulmet vitin e fundit në shumë vende europiane. Kështu deklaroi Kryeministria përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat të hënën.

Qeveria garantoi të gjithë shqiptarët se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta. Sulmi është pikasur mesditën e së premtes që shkoi, nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare. Sulmi ishte kompleks dhe në shkallë të gjerë. Menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, për të garantuar mbrojtjen e të dhënave.

Metodat mbi të cilat është kryer sulmi, është e ngjashme me një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Fatmirësisht, detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë u komentua edhe në Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Europian, Joseph Borrell, tha: “Ju u përballët pak ditë më parë me një sulm kibernetik. Kjo ka ndodhur në shumë vende aleate”, duke lënë të nënkuptohet se sulmi mund të ketë ardhur nga Rusia/panorama.al

Share: