Home KRYESORE Rita Petro letër vetvetes!

Rita Petro letër vetvetes!

E dashur Rita

E pranove dhe e vlerësove me shumë përgjegjësi atë vend që t’u ofrua në tryezën e rrumbullaktë te “Goca dhe gra” i një prej televizioneve më të rëndësishme në Shqipëri, siç është, Top Channel.

E nise me mëdyshje, midis Po-së dhe Jo-së. Nuk ishe e sigurt për shkak të angazhimeve të shumta të punës dhe të dukej se bota e medies ishte pak larg fushave ku ti me vite punon e kontribon; ajo e edukimit dhe e librit.

E pranove se përherë të kanë pëlqyer sfidat.
Fillimisht pate momente sikur nuk po ndiheshe mirë. Veçanërisht kur të duhej të thoje përmendsh disa prezantime që lidheshin me skenarin. Nuk ndiheshe vetja me këtë gjë. Dhe me të drejtë gocat e bënin shumë më mirë se ty këtë rol. Kështu që kur nga regjia t’u hoq ky detyrim, u ndjeve e çliruar.

Me vajzat u familjarizove që në fillim. Nuk je ndjerë keq asnjëherë, përkundrazi shumë e respektuar dhe me ndjesinë e harrimit të moshës. Kjo ishte shumë e rëndësishme, se nuk ishe aty për konkurrencë, por për bashkëpunim. Kishit aq kimi dhe kuptoheshit me njëra-tjetrën në sy.

Debatet të kanë shijuar shumë shumë. Nga pikat më të forta me gocat dhe më të suksesshme. Por dhe kakofonia, sado ndonjëhere e kritikuar, i jepte lezet emisionit: zëra gocash e grash plot nerv e pasion.

Ishte shumë argëtuese që u njohe me çuna dhe goca të botës së spektaklit, pse jo të kronikave rozë e të thashethemeve, ku ti ishte komplet jashtë kohe dhe mode. Po kuptove se të harxhosh pak fare kohë me thashetheme, ishte e lezetshme, kur dihet që thashethemet të largojnë stresin, nëse nuk janë mënyrë e jetës sate.

Ishte po ashtu aq argetuese, që fillove të merresh më shumë me pamjen tënde, lukun e ri, shtove veshje mediatike në garderoben tënde.

Kur pas emisioneve të para more aq shumë vlerëisime nga njerëz, të cilët të thonin se iu vlente mendimi yt dhe shumë nga mesazhet e “Goca dhe Gra”, atëherë përgjegjësia t’u shtua më shumë.

E rëndësishme është që vetja të pëlqeu akoma më shumë, që e çove deri në fund këtë mision.

Share: