Home I pakategorizuar Shqiptarët, dëshpërimisht të dëshpëruar me të gjithë!

Shqiptarët, dëshpërimisht të dëshpëruar me të gjithë!

Nga Mentor Kikia

Protesta e datës 7 ishte e madhe, përtej pritshmërive edhe të vetë Berishës. Ajo konfirmoi se Sali Berisha është udhëheqësi i PD –së dhe i jep fund edhe debatit brenda kësaj partie, pavarësisht se çfarë mund të vendosë një gjykatës për vulën.

Ajo dëshmon se zemërimi i popullit me qeverinë është rritur dhe ka dalë përtej rrjeteve sociale.

Shkalla e lartë e korrupsionit dhe aferat që zbresin njëra pas tjetrës në pasarelë i kanë hedhur benzinë prushit të krizës ekonomike, për tu shndërruar në flakë. Akuzat për kostot e rrugëve, rritjen e tyre në mënyrë të heshtur dhe të pajustifikuar, mbyten nga sazet dhe isoja këngëve që u këndohen qeveritarëve. Një rrjet i tërë kompanish fantazmë shërbenin si mekanizëm për të rritur në mënyrë fiktive kostot e punimeve nga kompani që ndërtojnë vepra publike dhe klinetet më të mëdhenj të tyre janë kompanitë e ndërtimit që punojnë për ndërtime rrugësh, shtëpitë e reja pas tërmetit dhe objekte të tjera.

Qeveria hesht!

Ndërkohë rrjeti mbytet me video pafund, të çdo cope rruge, kanali që pastrohet nga kallamishtet, çdo trotuari që shtrohet, çdo shtëpie të re që ndërtohet për llogari të rindërtimit nga tërmeti….

Qytetarët ndjehen të vjedhur, të mashtruar, e në fund të tallur. Të gjitha bashkë, mjaftojnë që ata të dalin në rrugë jo vetëm në 7/7 ora 7, por çdo ditë në 7 të mëngjesit dhe në 7 të mbrëmjes.

“Ka shpresë” – shkruanin shumë njerëz dje, ndërsa postonin fotot e bulevardit të mbushur plot.

Kur muzgu kishte rënë, mijëra njerëz ndezën blicet e telefonave si në koncertin e një ylli të muzikës. Dukej sikur shqiptarët, të dëshpëruar nga realiteti, më në fund kanë gjetur dritën në fund të tunelit, kanë gjetur prijësin që do ti çojë drejt ndryshimit.

Ndërkohë në tribunë Sali Berisha valëviste një flamur kuqezi. Më i lumtur se në çdo fitore të tijën politike.

Por kush është Sali Berisha?

Në 1997 e larguam me kryengrije të armatosur, dogjëm nga mullarët e barit deri tek bankat, për ta detyruar të jepte dorëheqjen.

Në 2005 e rikthyem me votë të lirë, sepse larguam Fatos Nanon, që hodhi themelet e korrupsionit që është bërë një kështjellë sot.

Në 2013, e larguam me votë, sepse mandati i tij i dytë ishte një katastrofë korruptive. Ai krijoi oligarkinë(këta të sotmit, dje ishin në oborrin e tij qeveritar dhe familjar).

Të dëshpëruar nga qeverisja aktuale, dje iu ndezën blicet sërish Berishës dhe atyre që larguam në 2013 për korrupsion.

Ose ne kemi harruar, ose mendojmë se Rama është edhe më i keq se Berisha, e ndaj më mirë të rikthehemi tek ai.

Unë mendoj që jo!

Ne nuk kemi nevojë të largojmë një qeveri të korruptuar, dhe ta zëvendësojmë me një tjetër të korruptuar.

Ne kemi nevojë të shkatërrojmë korrupsionin, mekanizmin e ngritur për të zhvatur taksat e popullit dhe pasuritë natyrore e kombëtare.

Për ne qytetarët, korrupsioni është njësoj i keq si kur e bëjnë socialistët ashtu dhe kur e bëjnë demokratët. Ndaj ne kemi nevojë të shkatërrojmë kastën politike të korruptuar dhe jo një pjesë e saj, për ta zëvendësuar me pjesën tjetër.

Share: