Nga fillimi i korrikut e në vazhdim Bursa e Hungarisë, një referencë edhe për vendin tonë, ka nisur një rritje të pandalshme të çmimeve duke përhapur panik në tregje për periudhën në vijim.https://fd982171e68fe384cb6f9b16b5a45a44.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
Çmimet nisën një rritje graduale mes 300-400 eurosh në bazë dhe me luhatje mbi këtë në pik por çmimi i energjisë për datën 19 korrik arriti 465 euro/MWh në bazë dhe 521 euro/MWh në pik. Ky është niveli i dytë më i lartë i këtij viti në raport me marsin kur lufta në Ukrainë ishte ende në fillim dhe çmimi i energjisë në datën 8 kërceu në 544 euro në bazë dhe 584 euro/MWH në pik.
Deri në atë moment që nga nisja e krizës që energjisë në tetor të vitit të shkuar çmimet më të larta ishin regjistruar në fund të javës së tretë të dhjetorit me 515 euro/ MWh në pik dhe 420 euro/MWh në bazë.
Kriza e energjisë e cila nisi si një zhvillim me cikël afatmesëm vitin e shkuar dhe me pritshmërinë se do të zgjaste deri në fund të 2023 në fakt tashmë është e paqartë për ciklin që do të ketë.
Zhvillimi i përgjithshëm ekonomik global, ngërçet e shkaktuar në zinxhirë të ndryshëm edhe nga lufta Rusi-Ukrainë kanë bërë që ekonomistët të vlerësojnë se ndoshta një çlirim i mundshëm do të vijë në vitin 2025 dhe kjo e lidhur edhe me planet e shpejta të zbatimit dhe prioritetit të energjisë diellore.
Importet e energjisë kalojnë 210 milionë euro
Situata jo e favorshme hidrike ka bërë që në këtë vit të vështirë Shqipëria të fokusohet edhe tek importi për të plotësuar kërkesën për furnizim në vend. Kjo ka ndodhur rregullisht me vendin tonë që importet në periudha të caktuara të zinin peshën kryesore por barra nuk ishte aq e fortë për vendin për shkak se çmimet në bursa ishin gati 5-10 herë më të ulëta se ato që kemi sot.
Korporata Elektronenergjetike Shqiptare konfirmoi zyrtarisht për “Monitor” se importet deri në maj të këtij viti ishin 145 milionë euro. Ndërkohë gjatë qershorit dhe 18 korrikut janë zhvilluar një sërë procedurash të tjera import që afërisht llogariten me një shpenzim prej mbi 63 milionë euro. Kjo e çon totalin e importeve rreth 210 milionë euro një shifër që do të tejkalohet me mbylljen e korrikut. Gjasat janë që importet e këtij viti të jetë dy herë më të larta sesa ato të një viti më parë një shifër që e konfirmoi në një nga daljet e tij kryeministri Edi Rama duke mbrojtur argumentet se pse Shqipëria ka vendosur të aplikojë një amnisti. Sipas Ramës furnizimi me energji pa i ngarkuar këtë faturë konsumatorit familjar do të kërkojë 500 milionë euro këtë vit duke nënkuptuar këtu importet.
Në ditët më të mira, Shqipëria importon minimalisht 20% të nevojave të saj për energji, sipas INSTAT, ndërsa në periudha thatësire importi arrin deri në 50%.
KESH gjithashtu gjatë qershorit ka zhvilluar edhe disa procedura optimizimi duke shitur më shtrenjtë në pik dhe duke blerë më lirë në orare të tjera. Ndërkohë kaskada e Drinit po mban një pjesë jo të vogël të konsumit por në kushtet kur para është një pjesë e mirë e verës përdorimi i burimit hidrik po bëhet në mënyrë të rezervuar duke tentuar ruajtjen e niveleve mesatare historike./Monitor.al