Home KRYESORE Top Talk/ Xhelal Mziu: Nuk dal në protestë për Berishën, por kundër...

Top Talk/ Xhelal Mziu: Nuk dal në protestë për Berishën, por kundër Ramës dhe krah demokratëve

Sali Berisha pret që nesër pasdite në shesh të mblidhen mijëra demokratë dhe qytetarë të thjeshtë, në protestën që ka thirrur kundër qeverisë.

Me deputetët demokratë që do të marrin pjesë në protestë, Berisha kërkon të konfirmojë pozicionin e tij në krye të partisë. Por një nga deputetët, Xhelal Mziu, thotë se ne protestë do të jetë i pranishëm për interesat e qytetarëve dhe jo për interesat e një individi, si Sali Berisha.

Në një intervistë për emisionin “Top Talk”, Mziu u shpreh se do të jetë në shesh si demokrat dhe do të protestojë atje kundër qeverisë që drejton Edi Rama:

“Këtë protestë mund ta quaj dhe një sfidë që Berisha bën në aspektin e tij personal, por ajo që mua më bën të shkoj, e para është se janë demokratë ata që marrin pjesë. Së dyti, është krijuar një situatë, në të cilën, jo vetëm demokratët, por dhe socialistët, duhet të dalin dhe të protestojnë. Nuk shkoj për asnjë individ, por shkoj me zemër për qytetarët, të cilët ndodhen në situatën më kritike për shkak të çmimeve”.

Por, a do ta përdorë Berisha pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve si mbështetje për të?

Kjo është dhe një mundësi për të luajtur politikisht Berisha, por unë them që deputetët kanë një integritet të jashtëzakonshëm, dhe shumica e kolegëve, bashkë me mua, e kanë treguar këtë, duke mos u imponuar për t’u bërë palë. Së dyti, ne kemi qenë ata, që në njëfarë mënyre, e kemi imponuar dhe Lulzim Bashën të japë dorëheqjen. Që do të thotë se gjithsecili e ka peshën e votës që ka marrë te qytetarët”, përgjigjet demokrati.

Pjesa më e madhe e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, sipas Mziut, është e angazhuar të pengojë më tej përçarjen në parti.

“Unë dhe shumica e Grupit Parlamentar të PD-së jemi të angazhuar për të mos u bërë palë, sepse PD-ja duhet të jetë më e madhe se sa është, jo e ndarë në dy copa. Kështu që, unë dhe shumica e demokratëve janë të prirur për të pasur një opozitë të bashkuar, për të pasur një opozitë konkurruese. Madje dhe vetë socialistët e kërkojnë të ketë një gjë të tillë. Vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe shpresoj që kjo ditë të mos jetë e largët. Së pari të ndodhë unifikimi i PD-së dhe pastaj për të kaluar përtej PD-së dhe pse jo, për ta rrëzuar këtë sistem”.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ende nuk ka dalë me një vendim përfundimtar, se kujt i përket vula dhe përfaqësimi i partisë më të madhe opozitare në vend.

Nëse Gjykata e Apelit njeh si përfaqësues zyrtar dhe legjitim të Partisë Demokratike grupin e Alibeajt, i cili ka bërë dhe ankimimin e vendimit të shkallës së parë, Berisha ka thënë se nuk do ta njohë një vendim të tillë. Çfarë ndodh në PD, sipas deputetit?

“Dhe në takimin që ne kemi organizuar, unë fajësoj, ashtu siç dhe mund t’i jap të drejtë, të dyja palët. Unë do të dëshiroja të mos shkojë drejt copëtimit të mëtejshëm. Nëse vendimi i gjykatës do të dilte ndryshe, do t’i jepte një shtysë më tej përçarjes”, thotë Xhelal Mziu.

Top Channel

Share: