Home KRYESORE Trafiqet dhe pastrimi i parave,Anglia vendos oficer shqiptar në portin e Dover-it

Trafiqet dhe pastrimi i parave,Anglia vendos oficer shqiptar në portin e Dover-it

Një delegacion i lartë i Policisë së Shtetit, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano, zhvilloi një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, me fokus rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Policisë shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese britanike, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme, migracionit të paligjshëm, si dhe pastrimit të parave të përfituara nga aktivitetet kriminale.

Gjatë këtij takimi u bë e ditur se në portin e Doverit, në Britaninë e Madhe do të vendoset një oficer Policisë shqiptare me qëllim shkëmbimin në kohë reale të informacioneve në rastet kur ka shtim të lëvizjes së shtetasve shqiptarë. Kjo është rënë dakord gjatë vizitës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në Britaninë e Madhe.

“Gjithashtu u krye një vizitë në portin e Dover, ku u pa nga afër trajtimi i fluksit të emigrantëve të paligjshëm, nga autoritetet britanike, si dhe u ra parimisht dakord për vendosjen e një oficeri të Policisë shqiptare në këtë port, me qëllim shkëmbimin në kohë reale të informacioneve në rastet kur në këtë port ka shtim të lëvizjes së shtetasve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me ftesë nga Drejtori i NCA (Agjencia e Luftës Kundër Krimit), Nano zhvilloi takime me homologun e tij në NCA, me Drejtorin e Përgjithshëm të Migracionit në Home Office, si dhe me autoritete të larta të agjencive homologe ligjzbatuese të Metropolitan Police, Antiterrorit Britanik dhe Border Force.

Në fokus të kësaj vizite ishte rritja e bashkëpunimit ndërmjet Policisë shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese britanike, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme, migracionit të paligjshëm, si dhe pastrimit të parave të përfituara nga aktivitetet kriminale.

Gjatë takimeve, Nano ka marrë mbështetje të plotë nga drejtuesit e strukturave policore dhe agjencive ligjzbatuese në Britaninë e Madhe, në drejtim të parandalimit dhe goditjes së krimit të organizuar dhe terrorizmit, kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave të forta, si dhe të goditjes së kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta.

Drejtori shqiptar i ka siguruar ata se “sfidat janë të përbashkëta dhe pa një bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve, rezultatet nuk do të jenë në favorin tonë”. Nano siguroi se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet dhe është shumë e angazhuar për të luftuar në krah me partnerët, fenomenet kriminale që dëmtojmë dhe cenojnë jetën, ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve të të dy vendeve tona, të BE-së e më gjerë.

Kjo vizitë vjen pas vizitave të njëpasnjëshme, shumë të rëndësishme, të zhvilluara në SHBA, Gjermani, Greqi dhe Izrael, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, për të forcuar akoma më shumë bashkëpunimin, rritjen e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit./opinion.al

Share: