Home Gjeo-Ekonomia Dëbimet nga Gjermania: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në krye të listës

Dëbimet nga Gjermania: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në krye të listës

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy destinacionet kryesore të kthimeve të detyruara nga Gjermania në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022

Në gjysmën e parë të vitit 2022 autoritetet gjermane kanë dëbuar rreth 6 200 të huaj nga Gjermania. Këtë e bëri të ditur qeveria gjermane në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes së grupit parlamentar të partisë opozitare, Die Linke (E Majta).

Nga përgjigja, një kopje të së cilës e ka edhe Deutsche Welle, destinacionet kryesore ishin Maqedonia e Veriut me mbi 450 të dëbuar dhe Shqipëria (mbi 400), pasuar nga Gjeorgjia (rreth 400). Ndërsa në Kosovë Gjermania ka kthyer me detyrim 130 ish-azilkërkues.

Dëbimet vijojnë të jenë më të shpeshta në kohën e verës. Avioni i fundit me destinacion Shqipërinë u ngrit nga Mynihu të mërkurën, më 24 gusht 2022, sipas burimeve të rrjetit Deportation Alarm. Rrjeti i përbërë nga disa shoqata pro refugjatësh, paralajmëron enkas dëbimet në faqen e tij të internetit, me shpresë se kështu të prekurit do të mund të ndërmarrin hapa për ta parandaluar. Në vitin 2020 ishte Shqipëria destinacioni kryesor i kthimit të detyruar nga Gjermania.

Kosto marramendëse

Grupi parlamentar E Majta e ka kritikuar ashpër praktikën e dëbimit: “Mbetesh pa fjalë kur shikon se çfarë mjetesh janë të gatshme të përdorin qeveritë e landeve dhe ajo federale, vetëm për t’i dëbuar njerëzit nga vendi”, i tha Deutsche Welles zëdhënësja e politikës së refugjatëve të Partisë së Majtë, Clara Bünger. Opozita e majtë kritikon shumën marramendëse që përdoret në disa raste.

Sipas përgjigjes së qeverisë federale ndaj pyetjes së Partisë së Majtë, në gjysmën e parë të vitit 2022, nga Gjermania janë dërguar në destinacionet e tjera për riatdhesim rreth 35 persona me 11 avionë “mini charter”.

Gjithsej 167 nëpunës policie kanë qenë në detyrë për të garantuar sigurinë gjatë ekstradimit. Vetëm për “aparatet fluturuese”, siç quhen avionët në dokumentin në fjalë, shteti gjerman ka paguar gjatë gjysmës së parë të vitit 580 mijë euro.

Në vitin 2019, para fillimit të pandemisë së koronës, autoritetet kishin përdorur 21 fluturime të tilla “mini charter” me maksimum katër të dëbuar për çdo fluturim. Gjithsej 48 persona janë kthyer me detyrim nga Gjermania në vitin 2019, dhe sipas Ministrisë Federale të Brendshme, kostot e fluturimit ishin në rreth 1,35 milionë euro.

Në vitin 2020 Gjermania vuri në përdorim 14 fluturime charter për dëbimin e gjithsej 39 të huajve. Në disa raste shpenzimet për këto fluturime arritën deri në mbi 100 mijë euro për një ose dy persona. Përveç kësaj, ka pasur edhe 1 826 kthime të azilkërkuesve në vende të BE-së, në përputhje me Rregulloren e Dublinit.

Dëbime të shtrenjta

Praktika e fluturimeve të tilla është e diskutuar. Por alternativat nuk janë më pak të kushtueshme. Njëra syresh është stacionimi i ish-refugjatëve në qendrat e dëbimit.

Kështu për shembull, projekti më i ri, që planifikon të ndërtojë qeveria federale pranë aeroportit të ri Berlin Brandenburg, është një qendër e madhe për hyrje-daljet në Gjermani. Prej aty do të bëhet edhe organizimi i dëbimeve. Azilkërkuesit e refuzuar do të vendosen aty deri sa të jepet mundësia e parë për dëbim nga Gjermania. Sipas investigimit të kanalit televiziv publik, RBB, vetëm qiraja do t’i kushtojë shtetit 760 mijë euro në muaj.

Koalicioni aktual mes SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së e ka shpallur si prioritet çështjen e azilkërkuesve të refuzuar. Strategjia e re e qeverisë gjermane synon dy shina, nga njëra anë shpërblimin e të integruarve, duke u dhënë edhe nga një leje qëndrimi të përkohshme, nga ana tjetër, dëbimin e menjëhershëm të ish-azilkërkuesve që kanë mashtruar për identitetin, që kanë falsifikuar dokumentet, ose kanë kryer vepra penale.

Top Channel

Share: