E njoh familjen e Edvinit që prej viteve 80-të, përkthyesin brilant Robert Shvarc, zysh Aristenë dhe Edvinin asokohe nxënës e më pas student. Jetonin e vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi edhe sot, me modestinë fisnike që kjo familje e ka në ADN-në e vet.
Edvini, studenti i dhjetorit të demokracisë, vazhdoi studimet në SHBA e pas disa vitesh qëndrimi atje, u kthye pranë familjes në Tiranë për t’iu përkushtuar punës, ashtu siç ai dinte e familjes së tij të mrekullueshme, duke ndjekur me po aq dinjitet edhe rrugën brilante të përkthimit, atë rrugë shtruar bukur nga një plejadë e përkorë përkthyesish shqiptarë, midis të cilëve shndrit emri i të madhit Robert Shvarc.
Por Edvini është edhe nipi i aktorit të madh Prokop Mima, interpretimi i të cilit e ka mahnitur spektatorin shqiptar.
Edvini është edhe njeriu shumë i afërt me mjeken, aktoren e shkrimtaren e talentuar Anissa Markarian.
Dje lexova lajmin e largimit nga Presidenca, aty ku Edvini ka punuar me përkushtim e profesionalizëm si pakkush në këtë vendin tonë punon.
Nuk dua të flas për aftësitë e profesionalizmin e tij, pasi shumëkush ia njeh vlerat. Por dua të këlthas se përse të ndershmit, profesionistët, njerëzit me kulturë largohen nga puna me një motivim aq absurd?
Unë e di që Vini këtë status nuk do ma pranojë, se ai i tillë është. Kurrë nuk kërkoi vëmendje, jetoi e jeton modestisht, siç prindërit e tij të mrekullueshëm.
Por, fort i dashur Edvin, leje nuk të mora, por pa hedhur edhe dy rreshta nuk munda mos ta bëja.
Vini, ti ke ndërtuar një karrierë të shkëlqyer e do vazhdosh të bësh më të mirën tënde.
Dashurisht
Klodi