Home Gjeo-Ekonomia Edhe mikro bizneset me xhiro më pak se 5 milionë lekë në...

Edhe mikro bizneset me xhiro më pak se 5 milionë lekë në vit do të duhet të dorëzojnë bilanc, kosto shtesë

Edhe subjektet e vogla që kanë një qarkullim vjetor më të ulët sesa 5 milionë lekë në vit, vitin e ardhshëm duhet të fillojnë që të dorëzojnë në tatime bilancet e formatit të thjeshtuar.

Deri tani, këtë detyrim e kishin mikronjësitë ekonomike që realizonin jo më pak se 5 milion lekë dhe jo më shumë se 30 milion lekë të ardhura nga veprimtaria ekonomike. Tashmë, me një ndryshim të standardit nr. 15, “Për kontabilitetin dhe raportimin financiar të mikronjësive ekonomike (SKK 15)”, të publikuar në Fletoren e fundit Zyrtare, këtë detyrim e kanë pa përjashtim të gjitha njësitë ekonomike të klasifikuara si mikronjësi nga ligji 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

Zbatimi i këtij ligji do të fillojë që me bilancet e vitit 2022, që duhet të dorëzohen viin e ardhshëm deri në datën 31 mars te tatimet (dhe deri në 31 korrik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, nëse kanë përgjegjësi tatimore tatim fitimi). Subjektet ndërkohë duhet të regjistrojnë justifikimet kontabël.

Deri tani, subjektet me xhiro nën 5 milionë lekë dorëzonin tek tatimet vetëm deklaratën e thjeshtuar vjetore të tatimit mbi fitimin

Pas ndryshimeve të fundit, Pasqyrat financiare të kërkuara prej mikronjësive me qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë, janë ato që kërkoheshsin për mikronjësitë e tjera me xhiro 5-30 milionë lekë në vit, konkretisht:

-Pasqyra e shkurtuar e pozicionit financiar;

-Pasqyra e shkurtuar e të Ardhurave dhe Shpenzimeve (PASH);

-Shënimet Shpjeguese të shkurtuara.

Mikronjësitë , subjekt i zbatimit të këtij Standardi lejohen të ndërtojnë edhe pasqyra të tjera me qëllim përmirësimin e transapencës dhe të cilësisë së informacionit që paraqesin (p.sh mund të përfshihet pasqyra e fluksit të mjeteve monetare dhe / ose pasqyra e lëvizjes së kapitalit). Kjo nënkupton që mikronjesitë nga 5 deri 30 milion lekë xhiro (tashmë përfshihen të gjitha pa përjashtim) plotësojne bilancin (pasqyrat) mbi sa më siper, ndërsa plotësimi i pasqyrave të fluksit dhe kapitalit janë opsionale ( nuk kërkohen por lejohen).

Ky ndryshim pritet që të shtojë kostot e administrimit të aktivitetit për subjektet e vogla. Kontabilisti Artan Aliu thotë se tashmë çdo biznesi të vogël do t’í duhet të ketë kontabilistin e tij që të përgatisë pasqyrat financiare. Bizneset do të duhet të mbajnë shpenzimet e detajuara sepse do të duhet të plotesojnë pasqyrat me formatin e SKK 15.

Sipas të dhënave të INSTAT, 85% e ndërmarrjeve në vend, ose rreth 101 mijë subjekte, kanë më pak se 4 punonjës. Një pjesë e madhe e tyre realizojnë qarkullim vjetor më të ulët se 5 milionë lekë në vit (nuk ka të dhëna sa është pesha e mikronjësive me xhiro më të ulët sesa 5 milionë lekë në vit)./Monitor

Share: