Home Gjeo-Ekonomia Gramshi, jo rasti i parë! Si “u spiunua” baza e Kuçovës dhe...

Gramshi, jo rasti i parë! Si “u spiunua” baza e Kuçovës dhe Defender Europe 2021

Turistë, biznesmene apo spiunë? Ngjarjet ne Gramsh e Poliçan nuk përbëjnë të parën herë kur shtetas rusë e cekë i kushtojnë një vëmendje jo të zakontë objekteve ushtarake e uzinave të armëve në Shqipëri e përpiqen të sigurojnë pamje të tyre.

Vitin që shkoi, autoritetet shqiptare nisën të hetonin dy shtetas rusë e pesë çekë nën dyshimet për spiunazh ushtarak të kryer gjatë stërvitjes “Defender Europe 2021”. Asokohe u tha se çekët kishin qenë duke fotografuar bazën e NATO-s në Kuçovë si dhe stërvitjet e trupave amerikane në Durrës. Dy shtetas rusë u vendosën po kështu nën hetim nga Prokuroria e Tiranës; njëri prej tyre, Vladislav Cherkasov kishte hyrë në vend në 12 maj të vitit të kaluar dhe me vete iu gjet një dron. Si destinacion të tijin kishte shpallur Durrës, e kjo pikërisht në kohën kur atje zhvillohej stërvitja e rëndësishme ushtarake.

Georg Budanov sakaq hyri në Shqipëri përmes Qafë Thanës në 1 mars 2021. Ai u prezantua si biznesmen qe ishte i interesuar të investonte në qytetin e Vlorës. Por veprimtaria e tij megjithë informacionin sekret shikohet e dyshimte nga hetuesit qe dyshojnë se Budanov qëndroi ne Orikum gjate kohës që në Vlorë kryhej Defender Europe, një nga stërvitjet me te mëdha ushtarake e zhvilluar në Evropë. Rusi u dëbua nga policia kufitare qendrore me datën 10 maj, nën argumentin qe nuk përmbushte kushtet e qëndrimit ne Shqipëri. Ministria e Jashtme ruse reagoi asokohe me akuzat se e gjithë kjo, nuk ishte gjë tjetër sipas saj, veçse propagandë e NATO-s.

Marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës dhe Moskës kanë qenë të ftohta së fundmi. Në janar, Shqipëria dëboi një diplomat rus, Aleksei Krivosheev, për mosrespektim të rregullave të Covid 19. Në vitin 2018, ndërkohë dy diplomat të tjerë rusë qenë shpallur “non grata”, me argumentin se aktiviteti që kryenin  nuk ishte në përputhje me statusin e tyre diplomatik. Rusia më pas dëboi dy diplomatë shqiptarë nga ambasada shqiptare në Moskë.

Majin e këtij viti sakaq, u ndaluan nën dyshimet e spiunazhit ne aeroportin e Rinasit edhe dy shtetas britanikë të cilëve iu gjetën në bagazh radiotransmetuese të padeklaruara pranë autoriteteve. Ata vetë dolën me pretendimin se ishin inxhinierë IT, të apasionuar pas radiove amatore.

Top Channel

Share: