Nga Çapajev Gjokutaj
Dje shumë medja përcollën historinë e një çifti të rinjsh në një nga pishinat e rrethinave të Tiranës. Nuk dihet ç’ishte lidhja mes tyre, ajo që marrim vesh është se, në çastin kur u bënë lajm, vajza pozonte duke bërë zhytje, kurse djali e fotografonte.
Zakonisht ka diçka sensuale në këtë veprim: vajza lëviz e hidhet duke u përpjekur të tregojë më të mirën e trupit të vet, djali përpiqet ta kapë e fiksojë sa më bukur. Veprimet e vajzës shpërfaqin diçka nga drenusha: e bukur, elegante, ikanake; kurse veprimet e djalit kanë diçka nga gjahtari: pritje, gatishmëri, dëshirë.
Djali shpërfaq edhe diçka prej xhentëllmeni: ndërsa vajza zhytet e rizhytet mes vapës në ujin e freskët, djali kufizohet e sakrifikon. Se çfarë xhentëllmen do jesh nëse nuk dëshmon gadishmëri për ta bërë partneren të ndjehet e vlerësuar, e pëlqyer dhe mbrojtur?
Këtu tek mbrojtja fillon e i del boja romancës. Papritur vajza mbeti përfund pishinës, por rioshi, në vend të hidhej ta shpëtonte, ia dha vrapit për të kërkuar ndihmë e për të dëshmuar se s’qe veçse një xhentëllmen virtual.
Problemi erdhi e u bë më bërtitës kur u pa se pronari i pishinës kishte kursyer të vinte mbikqyrës. U gjendën 2 – 3 të rinj, xhentëllmenë realë dhe jo virtualë, që e nxorrën vajzën e asfiksuar, i dhanë ndihmën e paë dhe e nisën për në spital.
Hollësi të tjera nuk dihen, por ajo që mund të thuhet me siguri është se paga në pishina të tilla nuk është virtuale e kallp si xhentëllmenllëku (llëk, llëk ) i rioshit.