Home KRYESORE Ngjarja e Himarës, reagimi i parë i Kumbaros: Për shkak të marrëzisë...

Ngjarja e Himarës, reagimi i parë i Kumbaros: Për shkak të marrëzisë së një njeriu…

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjen e rëndë , ku një skaf goditi për vdekje një vajzë të mitur në plazhin e Himarës.

Më shumë se 24 orë pas ngjarjes, Kumbaro e adreson peshën tek marrëzia e një njeriu që theu çdo ligj, ndërsa kërkon nga drejtësia dënimin maksimal.

“Tejet e rëndë dhimbja për ngjarjen e kobshme në bregdetin e Himarës, ku një engjëll nuk është më mes nesh për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, çdo rregull e çdo normë me pasoja tragjikisht të pakthyeshme!

Me vetëdijen se nuk ka fjalë të shërbejë sado pak si ngushëllim për prindërit, familjen për gjëmën që pësuan, kërkesa shkon për Drejtësinë që të bëjë punën e saj, pa asnjë kompromis, me dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjet e përbashkëta dhe rregullat dhe rrezikon të shkaktojë humbje jete, në tokë a në ujë qoftë!

Kërkesa shkon edhe për Policinë e Shtetit po ashtu, për çdo punonjës të saj në territor, që të jetë në lartësinë vigjiluese dhe ndëshkuese që uniforma i imponon për kryerjen e detyrës. Jonada e vogël u prehsh ne paqe”, ka shkruar Kumbaro.

Kujtojmë se për këtë ngjarje, shoqëria civile dhe opozita kanë kërkuar dorëheqjen e Ministres Kumbaro./Opinion.al

Share: