Vijojnë të qëndrojnë të bllokuara pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në Jarinje e Bërnjak, nga serbët vendas të cilët kanë vendosur barrikada në këto dy pika kalimi që ditën e djeshme.
Ndërkohë në pikën kufitare në Merdare po lëshohen fletëdeklarimet për gjithë shtetasit serbë që po hyjnë në Kosovë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti ka bërë me dije se pavarësisht se barrikadat nuk janë hequr, situate paraqitet e qetë.“Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha Hoti.
Të gjitha këto tensione në veri të Kosovës, janë shkaktuar nga serbët vendas aty, të cilët kundërshtojnë vendimin e qeverisë për pajisjen me dokumenta dhe targa të Kosovës. Vendimi ishte parashikuar të hynte në fuqi ditën e sotme, por pas tensioneve të shkaktuara, ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, qeveria e ka shtyrë vendimin me 30 ditë, deri më 1 shtator. Shtyrja e këtij vendimi erdhi pas propozimit të SHBA-së dhe Evropës.
Vendimi i cili ishte parashikuar të hynte në fuqi ditën e sotme në Kosovë, është tashmë një praktikë e zbatuar prej vitesh nga Serbia me qytetarët e Kosovës
Vendimi parashikon që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).
Targat me akronime të qyteteve të Kosovës, nga Prishtina zyrtare konsiderohen ilegale, por vlerësohet se në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa të tilla.
Për shkak të tensioneve në veri, Policia e Kosovës ka mbyllur dy pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe ka udhëzuar qytetarët që të përdorin pikëkalime të tjera.
Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Top Channel