Home KRYESORE Edhe pse unë s’do të jem më…

Edhe pse unë s’do të jem më…

Nga Gladiola Jorbus


Edhe pse unë s’do të jem më…
qielli, deti dhe stinët
do të frymojnë njëlloj.
Dielli do të lindë e do të tretet
tutjemë në horizont.

Edhe pse sytë e mi nuk do ta shohin dot.
Të tjera ëndrra do të ndezin yjet.
Të tjera dhembje do të rendin
mbi këtë tokë të lashtë.

Të tjera dashuri do të digjen
si zjarr i padukshëm në shpirt.
Flokët e mi s’do t’i shpupurisë më
flladi bohem i erës.
Plagët e njerëzimit do të shërohen sërish
duke kulluar gjak.

Të tjerë flegmatikë do të shëtisin të vetmuar
dhe jetën do ta gjerbin pak e nga pak.
Shekujt do të zbehin shkëlqimin e njëri-tjetrit,
në amfiteatrin abstrakt të kohës.
Kurse ditët do të përplasen me furi,
nën ritmin e njëtrajtshëm të frikës nga e nesërmja.

Kthjelltësia do të pushtojë ndonjëherë qeniet.
Dhe zbrazëtia pafund do t’i trishtojë.
Bota do të bëhet e zhbëhet mijëra herë
në fragmente sekondash.
Gjithçka do të tingëllojë e njëjtë,
edhe kur unë të mos jem më.

Share: