Avokatët e gazetarit turk, Ahmet Emre Olur, i cili u dëbua nga vendi ynë disa ditë më parë, kanë kallëzuar penalisht Shefin e komisariatit të policisë Kufitare të Rinasit, Përparim Demën për shpërdorim detyre.
Në kallëzimin e siguruar nga Panorama.al, avokatët ngrenë pretendime se shefi i komisariatit, nuk i ka lejuar që të përfaqësojnë gazetarin turk.
Sipas tyre, Emre Olur nuk i është lejuar asnjë kontakt me avokatët përpara marrjes në pyetje nga policia dhe përpara nisjes së procedimit penal.
“Shefi i komisariatit në policinë Kufitare Rinas na ka privuar të takojmë klientin që ne përfaqësojmë, dhe ky fakt bije ndesh me ligjin 85/2018 ‘Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë’, por nga ana tjetër ky shef policie në mënyrë kriminale ka privuar të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit, fakt që është një e drejtë themelore e njeriut, e pa respektuar nga punonjësi i policisë Përparim Dema” – thuhet në kallëzim.
Një tjetër pretendim i ngritur nga avokatët është refuzimi i Komisariatit të Policisë për të protokolluar kërkesën për azil të gazetarit turk.
Sipas kallëzimit të bërë, pretendohet se avokatët kanë kërkuar nga policia që të protokollojnë kërkesën për azil politik për gazetarin, por kjo është refuzuar.
“Nga kontaktet që kemi pasur me familjarët e shtetasit Ahmet Emre Olur me numër pasaporte U14867557 me origjinë shtetas Turk, na kanë komunikuar se i rrezikohet jeta nëse do të dëbohej nga vendi ynë drejt vendit të origjinës dhe ky fakt do të ndodh në bazë të bindjeve politike të tij. Dhe njëkohësisht ka shfaqur vullnetin që të kërkoj azil politik në shtetin Shqiptar. Kërkesën për azil e bazojmë në ligjin me Nr. 10/2021 “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 2 të tij përcaktohet qartë se ky ligj zbatohet për të gjithë shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të cilët kanë deklaruar qëllimin për të paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare në territorin e Republikës së Shqipërisë, për aq kohë sa atyre u lejohet të qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë si kërkues për mbrojtje ndërkombëtare, si dhe për anëtarët e familjes së tyre. Njëkohësisht bazuar në Neni 5 të ligjit me Nr. 10/2021 “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë” , e drejta për azil Republika e Shqipërisë garanton të drejtën për azil të shtetasit të huaj ose personit pa shtetësi, i cili ndodhet jashtë vendit të shtetësisë së vet ose jashtë vendbanimit të zakonshëm të mëparshëm dhe nuk ka mundësi ose dëshirë të kërkojë mbrojtjen e atij vendi për shkak të frikës së bazuar për të qenë i persekutuar për arsye të racës, të besimit fetar, të kombësisë, të anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose të bindjes politike.
Kjo kërkesë nuk është protokolluar nga Policia Rinas në shkelje të hapur me ligjin Nr. 10/2021 “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë” për këtë avari kemi njoftuar mbi 30 herë sallën operative të policisë Rinas dhe kemi kërkuar të njoftohen eprorët për këtë kërkesë të cilën po jua paraqisnim në mënyrë të shkruar, por nga salla na është konfirmuar fakti se shefi Përparim Dema është njoftuar për këtë kërkesë. Më pas jemi paraqitur pranë Policisë Kufitare Rinas për të paraqitur kërkesën tonë por nga nëpunësit e kësaj policie na është thënë se shefi i ka urdhëruar të mos marrin këtë kërkesë. Me këtë veprim Shefi Përparim Dema ka shkelur haptas edhe nenin 5 të ligjit të mësipërm që ka të bëj me të drejtat për azil në Republikën e Shqipërisë, i cili garanton të drejtën për azil të shtetasit të huaj ose personit pa shtetësi, i cili ndodhet jashtë vendit të shtetësisë së vet ose jashtë vendbanimit të zakonshëm të mëparshëm dhe nuk ka mundësi ose dëshirë të kërkojë mbrojtjen e atij vendi për shkak të frikës së bazuar për të qenë i persekutuar për arsye të racës, të besimit fetar, të kombësisë, të anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose të bindjes politike.
Për këtë kërkesë meqenëse nuk na e ka protokolluar policia, kemi njoftuar shefin Përparim Dema në numrin e tij të telefonit 06******** ku i kemi paraqitur kërkesën për azil të shtetasit Emre Olur, por shefi nuk ka kthyer përgjigje dhe nuk e ka trajtuar këtë kërkesë në shkelje flagrante me ligjin Nr. 10/2021 “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë” dhe si përfundim e ka dërguar shtetasin Turk në Turqi pa shqyrtuar më parë kërkesën e tij për Azil” – thuhet në kërkesëpadinë.
360grade.al