Nga Lutfi Dervishi
Gykata Administative në Tiranë nuk habiti askënd sot kur nuk pezulloi urdhërin arbitrar të Ministrisë së Arsimit për të mbyllur aktivitetin arsimor të një kopështi privat. Arsyetimi: nuk provoni se u është shkaktuar dëm”. Një arsyetim i tillë shkon përtej skenaristëve të filmave horror.
Shvejku do të thoshte: “edhe ky maskarallëk është i domosdoshëm”.
Por cili është koncepti për dëmin i gjyqtarit?
Si është e mund të ngatërrohet e drejta civile (dëmi material dhe/ose moral) me të drejtën administrative (urdhër/vendim i padrejtë)
Çfarë e shtyn një gjyqtar të ketë frikë të vendosë sipas ndërgjegjes së vet profesionale? Frika?
Në seancën e gjyqit si mjet për të ushtruar presion ishte investuar edhe Avokatura e Shtetit. Çështja është krejt jashtë fushë veprimit të Avokaturës së Shtetit. Por aferim. Avokatët e shtetit gjejnë kohë për të shkuar në sallën e gjyqit për mbylljen e një kopshti fëmijësh?!!
Kur në një çështje kaq të qartë nuk fiton e drejta, por arbitrariteti çfarë mund të presësh nga gjyqtarët në çështje më të komplikuara?
Kur çdo njeri që pyet në rrugë e di shumë mirë pse po mbyllet sot kopshti dhe nesër shkolla, si ndodh që këtë gjë nuk e di gjykatësi?
Nëse do të kishim një gjykatës ideal do të mjaftontin dy pyetje për përfaqësuesit e ministrisë dhe Avokatisë së Shtetit, për të zbuluar motiviet e vërteta të mbylljes së kopshtit: – Sa inspektime kanë zhvilluar në kopshtet e tjera? Në renditjen nga 1 deri 10 çfarë vendi zënë në rang vendi (sipas inspektimeve të mërpashme të vetë ministrisë), kopshti i mbyllur?
Por, duket se gjykata nuk ka qenë e interesuar për të vërtetën, por ka qenë në “siklet” mos i prish punë qeverisë.
Nëse në përballjet mes shtetit dhe institucioneve private fiton gjithmonë shteti, nëse në përballjet e biznesit me grupet mjedisore, fiton gjithmonë biznesi, nëse në përballjet mes shtetit dhe individit fiton gjithmonë shteti, nëse në përballjet mes “të fortit” dhe të “dobtit” fiton gjithmonë i forti, atëherë pse na duhen gjykatat?
Ata që vendosin të ikin nga ky vend, nuk ikin se këtu nuk ka mundësi, apo shpresë ikin më shumë nga bindja që në këtë vend “nuk gjen dot të drejtën”.
Drejtësia nuk është një koncept abstrakt, por tejet konkret, është themeli i një shoqërie të lirë.
Kur në një çështje kaq të thjeshtë, gjykata mbyll sytë dhe arsyeton në një mënyrë që do të skuqte edhe Shvejkun, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë se do të vijë një ditë që gjykatësi të skuqet nga vendimet që merr vetë.
Forma më e keqë e padrejtësisë, thoshte Platoni, është të pretendosh se ke drejtësi.