Home KRYESORE Shqipëria: Iku djathi e mbeti hirra ose, më troç: ikën të zotët...

Shqipëria: Iku djathi e mbeti hirra ose, më troç: ikën të zotët e mbetën roskopët!

Nga Çapajev Gjokutaj

Kriza e stërzgjatur që ka kapluar vendin ka shumë shkaqe, por ndër kryesorët është: iku djathi e mbeti hirra ose, më troç: ikën të zotët e mbetën roskopët.

Kështu më shkruan një mik nga përtej oqeanit dhe fjalën e ka për emigracionin. Nuk jam i prirur ta besoj, mbase ngaqë s’ma ka ënda të bëj pjesë në kategorinë e roskopëve🤡

Natyrisht emigracioni i stërzgjatur dhe në përmasa drobitëse i ngjan hemoragjisë që, me kalimin e kohës sjell dobësi e anemi për organizmin.

Qofsha gabim, por emigracioni ka edhe anë të mira, jo vetëm për ata që ikin dhe familjet e tyre, por edhe për vendin. Tjetër punë se sa të zotë jemi që t’i maksimizojmë e t’i vjelim këto të mira.

Gjithsesi vendin po e drobisin dy gjakrrjedhje të tjera, vërtetë më të heshtura e më të padukshme se emigracioni, por tejet më shteruese: mungesa e meritokracisë, sidomos në aktivizimin e të rinjve, dhe qasjet klienteliste ndaj bizneseve.

Këto janë dhe hemoragji dhe hashash. Demotivojnë përpjekjet e të rinjve më të talentuar, nuk i nxisin por i plogështojnë e i zhysin në apati. E thoshte dhe i moçmi: Qaje qarin po vure gomarin para kalit!

Kurse tjetra, edhe më e ububushme, zhbën konkurencën dhe dekurajon frymën e sipërmarrjes. Pse të guxojë e të përpiqet biznesi, të rrisë efikasitetin, të përmirësojë cilësinë e të përshtasë çmimet, kur nuk vendos tregu po lidhjet e shkurtra me politikën?

Pergjumje dhe apati opiumi. Të na rrojnë paritë, më falni partitë e kalcifikuara, të drejtuara sot e mot nga të njëjtët googozhelë. Të na rrojnë sidomos këta, bashkë me militantët, gjithnjë të uritur për poste e zhvatje, për stërkëmbsha e allishverishe.

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )

Share: