Nga Mentor Kikia
Fitorja e të djathtës në Itali, udhëhequr nga Giorgia Meloni, ka frymëzuar edhe të djathtën shqiptare, duke e cilësuar si një paralajmërim për ndryshime edhe në Shqipëri.
Por, ka një mori mospërputhjesh në këtë frymëzim.
E para, dhe kryesorja, është pyetja se sa e djathtë është e djathta shqiptare, përveçse vetëquhet e tillë. Për analogji, Shqipëria nuk ka as të majtë, pasi e vetëquajtura e majtë, është një parti e kapitalizmit më të egër që është instaluar në këtë vend.
E dyta, “e djathta shqiptare”, kërkon të rivijë në pushtet pas disa qeverisjesh me të njëjtin lidership, ndërsa Meloni është një sprovë e qytetarëve italianë.
E treta, ka një pyetje edhe më të rëndësishme: Çfarë force politike i duhet sot Shqipërisë? Cili është problemi më i madh sot në këtë vend dhe kush mund ta zgjidhë atë? Padyshim që plaga më e madhe sot është hajdutëria masive e parave publike, e pasurisë kombëtare dhe privatizimi i territorit të republikës nga një grusht batakçinjsh, që enden sa “majtas”-”djathtas”.
Sot Shqipëria ka nevojë për një parti vërtet ekstremiste. Por jo ekstremiste ideologjikisht, sikundër i tremben të djathtës italiane pacifistët. Shqipëria ka nevojë për një parti ekstremiste kundër kastës së korruptuar politike dhe oligarkike, që ka marrë trajtën e një kupole kriminale që kontrollon pushtetin, paranë dhe pasuritë kombëtare.
Nuk ka rëndësi se si duhet të nderojnë këta “ekstremistët”e rinj, si Duçja, Hitleri apo Stalini. Ky vend ose duhet shpëlarë nga kjo kastë, ose do të vazhdojë të zhytet në pysetën e madhe të gjirizit ku e kanë futur këta.