Fasha e konsumit për energjinë 800 KW mbi çmimin e mbrojtur nga qeveria për konsumatorët familjarë nuk do të hyjë në fuqi këtë 1 tetor, sikurse ishte njoftuar nga kryeministri Edi Rama.
Rama, në një videomesazh të shpërndarë në “Facebook”, tha se brenda këtij muaji, KESH ka ulur ndjeshëm kërkesën për energji. Përveç shirave, në vendimin për të hequr dorë nga vendosja e fashës ka ndikuar dhe reagimi pozitiv i konsumatorëve, sipas tij.
“Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kë, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 KWh, sot është rreth 11, 000 Këh.
Kur lançuam fashën mbi 800 KWh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.
Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit”.
Kursimi i energjisë është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër pa kufizime energjie, thekson kryeministri, ndërsa thotë se Shqipëria nuk mund të plotësojë 100% të nevojës për energji, pa dalë në tregun ndërkombëtar, aty ku ndikohet nga çmimet e larta:
“Disa ndër ne këtu në Shqipëri thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta. Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji.
Ne po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10 vjeçari, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend energjetikisht sovran si dhe eksportues neto të energjisë. Por pikërisht se nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte”.
Top Channel