Vdekja e mbretëreshës Elizabetë ka rindezur debate në shumë prej ish-kolonive britanike, duke vënë në pikëpyetje lidhjet e tyre të ardhshme me monarkinë.
Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, i përgjigjet pyetjes së gazetarit Sokol Balla në Top Story, nëse mungesa e Mbretëreshës do të sjellë ndryshime për vendet e Komonuelthit.
Sokol Balla: Kam punuar dhe kam jetuar në Britani në 3 faza të jetës time, nga emigrant, gazetar e si studiues. Prezenca e padukshme e Elizabetës ishte një konstante qe dukej se e mbante atë vend të larmishëm, mbante të gjithë bashkë. Në të gjithë vendet e Komonuelthit e ndjeje se ka një person që i bashkon. Mungesa e saj tani mendoni se do të ketë pasoja?https://a0b1a82e22d02cb8c0cdba3477682bdc.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
Ambasadori Alastair King-Smith: Sigurisht, kjo do të vazhdojë të evoluojë, por ajo ka meritën që e themeloi dhe unë mendoj se ajo që kemi parë në të gjithë botën dhe në çdo kënd të globit e tregon këtë. Diçka që më ka prekur shumë, në fakt, është se si në kaq shumë prej këtyre vendeve, ku shumë njerëz mund të mos e kenë takuar Madhërinë e Saj, mund të mos e kenë parë personalisht, por kanë ndjerë lidhjen që ajo ngjizi. Mendoj se kjo është diçka që familja mbretërore e sjell në një mënyrë shumë të veçantë. Dhe në fakt, siç thoni ju, ata lidhin historinë dhe traditën nga e shkuara deri në ditët e sotme. Një nga gjërat që më ka habitur shumë në ceremonitë e fundit që janë zhvilluar është se ne rikthejmë në jetë shekuj dhe dekada të traditës për të cilat as që na është dashur të mendojmë kohët e fundit, dhe kjo ndodh në një mënyrë që e kapërcen politikën. E kështu, mendoj se ke të drejtë, kjo gjë sjell në botën moderne disa këndvështrime të ndryshme që në fakt janë shumë të veçanta.
Sokol Balla: Le të themi kohërat nuk janë të lehta edhe Britaninë që doli nga BE, por Mbretëresha kontribuoi edhe në një tranzicion edhe brenda vetë Britanisë së Madhe. Sot që flasim Skocia ka një situatë të caktuar sa i përket Brexit, mendoni se Karli III ka atë lloj maturie që pati Elizabeta? A do e mbajë dot Karli III Mbretërinë e Bashkuar, të bashkuar?
Ambasadori Alastair King-Smith: Sigurisht, do të shohim si do të shkojnë gjërat. Por unë mendoj se ajo ç’ka kemi parë është se respekti për Mbretëreshën Elizabetë, por edhe për Monarkun dhe familjen mbretërore, ka qenë në të vërtetë shumë më i madh nga sa e prisnin shumë njerëz. Unë mendoj se mënyra se si njerëzit kanë qëndruar në radhë të gjata për t’i bërë nderimet Madhërisë së Saj, në Skoci apo në Londër, ashtu siç i kemi parë në mbarë botën, në fakt. Njerëz që janë paraqitur për të shprehur ngushëllimet dhe respektin e tyre në ambasada dhe në përfaqësitë e larta, kanë qenë shumë më tepër nga sa mund të mendohej. Sigurisht, gjërat do të ecin përpara. Unë mendoj se mbreti Karl ka qenë shumë i qartë. Ai realisht e respekton Komonuelthin dhe dëshiron ta shohë atë në lulëzim, por ai pranon, gjithashtu, se secili prej vendeve tona do të bëjë zgjedhje të ndryshme. Pa dyshim që do të ndodhë kështu. Unë mendoj se në disa vende do të forcohet lidhja me familjen mbretërore dhe në të tjera mund të ndryshojë në një farë mënyre, por mendoj se ky moment po ringjall forcën e kësaj traditë që daton prej vitesh, vitesh e vitesh dhe i prek njerëzit në një mënyrë shumë më personale, ndoshta më shumë se politika e ditës, por edhe çështje të tjera.
Pesëdhjetë e gjashtë vende janë anëtarë të Komonuelthit, një bashkim i ish-kolonive britanike, me mbretin Karl në krye të tyre.“Shumë vende po shqyrtojnë rolin dhe vendin e tyre në Komonuelth. Mendoj se tashmë që Mbretëresha Elizabet ka vdekur, sigurisht që do të ketë më shumë lëvizje për t’u shkëputur prej tij”, thotë Sonjah Stanley Niaah e universitetit ‘West Indies’.
Kryeministri i Australisë po kërkon mbajtjen e një referendumi për heqjen e monarkut britanik si kryetar shteti. Shtetet e Karaibeve Antigua e Barbuda si dhe Shën Lucia janë shprehur për plane të ngjashme. Këtë javë, edhe autoritetet në Bahamas pohuan se është e mundur mbajtja e një referendumi të tillë. Një sondazh i zhvilluar në gusht para vdekjes së mbretëreshës tregoi se 56% e xhamajkanëve janë në favor të largimit të monarkut britanik nga pozita e kreut të këtij shteti. Vitin e kaluar, ishulli Barbados u bë republikë, duke ndërprerë lidhjet me monarkinë britanike.
Top Channel