Deputetët e mazhorancës dhe opozitës u bashkuan këtë të enjte në Kuvend, ku votuan pro ndryshimit të ligjit “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Në një seancë maratonë, që zgjati më shumë se 12 orë dhe u shoqërua me debate mes deputetëve, projektligji u miratua me 94 vota pro dhe 1 abstenim.
Sipas amendamentit të dakordësuar për hapjen e plotë të dosjeve, çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.
Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.
Ndryshimi i ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në Sigurimin e Shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie.
Thelbi i ndryshimeve është hapje totale e dosjeve, përfshi edhe ata të cilët njëherë kanë kaluar filtrat e komisioneve Bezhani dhe Mezini.
Debati 30-vjeçar për dosjet e ish-Sigurimit u riaktivizua javët e fundit të korrikut pasi Autoriteti Dosjeve i dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i rëndësishëm me inicialet I.M. ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin të Shtetit. Aludimet dhe debatet u përqendruan tek ish-presidenti Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish-Sigurimin.
Top Channel