Nga Shaban Murati
Presidenti serb Vuçiç deklaroi në 8 tetor rrenën e rradhës sikur Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar atij që Serbia të lejojë Kosovën të hyjë në OKB dhe ata si shpërblim do ta fusin Serbinë në BE. (I mjerueshëm servilizmi i mediave shqiptare, që nuk lenë rrenë dhe p. të Vuçiçit pa i bërë jehonë sapo dalin).
Vuçiçi ka disa vite, që tallet dhe shet ajër sikur nga Serbia varet të hyjë Kosova në OKB. Këtë ajër serb e hengri edhe qeveria e mëparshme e Kosovës si analfabete diplomatike. Çdo fillorist e din që anëtarësimi i Kosovës në OKB varet nga Rusia.
Po nuk desh Rusia, as Franca, që është anëtare e përhershme e KS të OKB, dhe as Gjermania, që nuk është anëtare e përhershme e KS të OKB, nuk e fusin dot Kosovën në OKB. Serbia, që është thjesht një votë ndër 193 shtete anëtare të OKB, nuk hyn fare në refene për anëtarësimet e reja në OKB.
Por Vuçiçi vazhdon të vetëfryhet, sikur ai e ka në dorë të hyjë Kosova në OKB. E rren mendja se ndoshta dikush në Prishtinë mund të përsërisë gabimin trashanik të paraardhësve dhe të blejë ajrin diplomatik serb të anëtarësimit në OKB.