Home Gjeo-Ekonomia Ambasadori Hill: Serbët të kthehen në institucione, Kosova të respektojë obligimet

Ambasadori Hill: Serbët të kthehen në institucione, Kosova të respektojë obligimet

Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

Kështu ka thënë të dielën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas vendimit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Hill për televizionin N1.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Hill, po ashtu, ka thënë se SHBA-ja është në linjë me BE-në edhe sa i përket kërkesës ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.

Kryeministri i Kosovës, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe./REL

Share: