Home Approccio Italo Albanese Italia merr në dorë dialogun, Tajani fton Kurtin dhe Vuçiçin në Romë

Italia merr në dorë dialogun, Tajani fton Kurtin dhe Vuçiçin në Romë

Italia porosit Kosovën dhe Serbinë që të mos përshkallëzojnë deri në luftë tensionet për targat, teksa mori drejtimin e dialogut. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, dhe ai i Mbrojtjes, Guido Crosetto vizituan Beogradin dhe Prishtinën, duke ftuar liderët e dyja vendeve për një takim në Romë.

Italia mori rolin e ndërmjetësuesit mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, bashkë me atë të Mbrojtjes, Guido Crosetto, udhëtuan për në Beograd dhe Prishtinë, në një mision për bindur palët në një ujdi për çështjen e targave.

“Nuk dëshirojmë që të ketë sërish luftë”, ishte porosia e qartë e delegacionit italian për të dyja palët. Gjatë një takimi të zhvilluar me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Tajani foli për mundësinë e një takimi Kurti-Vuçiç në Romë.

“Situata nuk duhet të përkeqësohet. Mos merrni nisma të njëanshme. Duhet të gjendet një zgjidhje. E kam vlerësuar vendimin e Kosovës për të shtyrë vendimin për targat dhe është një sinjal i gatishmërisë. Sot në mëngjes kam dëgjuar edhe fjalë gatishmërie nga ana serbe. Duhet të organizojmë një takim në mes të dyja palëve”, tha Tajani.

Ai njoftoi dhe synimin e këtij misioni që me çdo mënyrë të arrihet marrëveshje dhe të ketë stabilitet në rajon. Gërvalla informoi Tajanin për sjelljet e Serbisë karshi Kosovës.

“Biseduam për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës përmes ndërhyrjeve masive në çështjet e brendshme të vendit tonë ,kërcënimeve me dhunë e deri të kërcënimet jo të rralla me luftë”, u shpreh Gërvalla.

Në të njëjtën kohë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, priti homologun italian, Crosetto, me të cilin diskutoi për krizën aktuale dhe mënyrat për tejkalimin e saj. Dyshja italiane ishte më herët edhe në Beograd, ku u takuan me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministren Ana Brnabiç dhe pjesëtarë të tjerë të qeverisë.

Share: