Nga Dritan Gremi
Ikjet. Kryefjala e realitetit shqiptar sot, tashmë prezent edhe në faqet e mediave të huaja apo në sallat e tyre parlamentare. Akuzat dhe retorika politike duket se jo vetëm nuk e ndihmojnë, por e komplikojnë më shumë situatën, ku faji mbetet si gjithmonë jetim.
Pse ikin shqiptarët?!
Arsyet janë shumë, edhe pse shpesh ato konturohen në frazën: Për një jetë më të mirë. Por mendoj se kjo jetë më e mirë konturohet në disa elementë, që janë baza e përditshmërisë sonë. Të ardhurat, arsimi, shëndetësia, drejtësia, jeta sociale, por edhe bota shpirtërore. Çfarë ofron Shqipëria për ne në raport me vendet ku emigrojmë? Përse Europa na duket kaq tërheqëse, ndërsa ikja na duket shpëtim?
Janë këto disa nga pyetjet që besoj se të gjitha ja bëjnë vetes, e disave prej të cilave jam përpjekur t’u jap përgjigje në këtë artikull e në të tjerë që do të vijnë pas tij.
***
Një jetë më e mirë. Është shpesh ky motivi pas të cilit përmblidhen gjithë arsyet e ikjeve. Në pamje të parë gjithçka nis me shkaqet ekonomike. Një pagesë më e mirë, mundësi për të kursyer disa para për të njëjtën punë që bëjnë në Shqipëri.
Por nëse kërkon pak më tej kupton që arsyeja nuk nis e nuk përfundon këtu. Problemet me sistemin e korruptuar të drejtësisë, dobësitë e sistemit arsimor, mangësitë dhe kostot e sistemit shëndetësor, renditen gjithashtu mes arsyeve që i bëjnë shqiptarët të largohen. E tashmë nuk janë vetëm ata që kërkojnë një pagë më të mirë, por edhe ata që kanë krijuar një stabilitet financiar, e që sërish nuk arrijnë ta shohin në këtë vend të ardhmen e tyre apo të fëmijëve.
Sot nuk ikin vetëm ata që nuk punojnë, që nuk sigurojnë dot një vend pune, por edhe ata që shohin se vlerat e tyre shpërfillen. Ikin edhe ata që përpiqen të ecin përpara mbi bazën e meritokracisë, por që shohin se meritokracia përbuzet nga shefa e drejtorë mediokër, që të vetmen vlerë dhe aftësi në jetë kanë militantizmin partiak, mikun apo një të afërm pushtetar.
Shqiptarët ikin edhe për faktin se ndjehen të lodhur, të ngarkuar fizkisht e psikologjikisht nga kaosi dhe rrëmuja që dominon jetën e tyre të përditshme. Ikin edhe pse në ambientet rreth banesave mungojnë parqet, qetësia dhe gjelbërimi.
Është shpesh si një xhungël, pa rregulla e ligje, ku gjithmonë të duhet të mbijetosh. Për ta kuptuar më mirë, mjaft të kalosh me makinë një rreth rrotullim dhe do kuptosh që vlen ligji i më të fortit. Kakofoni për veshët, stres për mendjen, lodhje për sytë. Është ajo që unë e quaj ndotje psikologjike dhe mendore nga kaosi i përditshëm që karakterizon çdo aspekt të shoqërisë shqiptare.
Sepse beteja jonë nis pa dalë ende mirë nga dera e shtëpisë, teksa përballesh me problemet e bashkëjetesës në komunitet, me kopshtin apo shkollën e fëmijës, me pamjet e tmerrshme të telave dhe kabujve që na qëndrojnë si merimangë mbi kokë, me aromën e kazanit të mbeturinave ku sapo ka kaluar shitësi i kanaçeve duke nxjerr gjithçka që aty. Një mjedis i tillë nuk mundet kurrsesi të na japë një jetë cilësore e nuk mundet të na bëjë qytetarë më të mirë.
Shqiptarët ikin dhe tashmë jo vetëm për të mbijetuar. Ikin sepse duan të mbushin jo vetëm barkun, por edhe shpirtin. Duan të dëgjojnë muzikë të mirë, të shohin një film të bukur, të bëjnë një diskutim cilësor, të pandikuar nga tallavaja politike apo mediatike, që për hir të së vërtetës ka kostot dhe kusuret e saj në gjithë këtë histori.
Ne përpiqemi të gjejmë fajtorin, që shpesh është i veshur në petkun politik apo atë të administrates publike, duke shuar çdo shpresë tek njerëzit. Dhe në fakt, një pjesë mirë e politikanëve dhe punonjësve të administratës sonë (nga niveli i drejtuesve, deri në bazë) e dinë mirë që janë të paaftë dhe ndodhen në vendin e gabuar. E dinë mirë, që nuk meritojnë të jenë aty, që dikë tjetër kanë penguar të ecë përpara e më keq akoma, që bëjnë dëm me çdo vendim që marrin apo nuk marrin në çdo ditë të punës së tyre.
Këta njerëz duhet të bëjnë një hap pas. Të ndërgjegjësohen për atë që janë dhe të largohen. Në të kundërt, ajo pjesë e vetëdijshme dhe e aftë e politikës që ka ngelur, le t’i largojë sa më parë.
Ne mund t’i japim një shpresë, një hapësirë, një frymëmarrje këtij vendi duke i lënë vend meritokracisë. Duke pastruar administratën nga militantët e duke hequr dorë nga formula: votë apo shërbim partiak në këmbim të një vendi pune.
Por nëse politika me mekanizmat e saj dhe media me forcën sensiblizuese nuk kanë vullnetin për ta bërë të ndryshojë këtë situatë, është një tjetër segment i rëndësishëm në shoqërinë shqiptare që ka forcën për ta ndryshuar shoqërinë. Një shtyllë e rëndësishme në ekonominë e vendit. Dhe po flas pikërisht për biznesin.
Le të shohim pak më thellë. Kush po ikën? Shpesh janë të rinj. Me ëndrra, dëshira, pasione dhe ambicje, ndonjëherë mbase edhe të keqkultivuara, por jo për fajin e tyre. Janë ata, që refuzojnë të punojnë për një punë të shpërblyer keq e mbi të gjitha të patrajtuar me dinjitet.
Në kushte të tilla, pavarësisht nevojave financiare ata heqin dorë nga puna, apo më keq akoma, zgjedhin emigrimin.
Kështu, që nga 1990, vit pas viti me të pakënaqurit që sa vijnë e shtohen u krijua një vakum i fuqisë punëtore, që dalëngadalë po kthehet në plagën më të madhe sociale të kohëve moderne. Kjo është dhe kriza më e madhe e sipërmarrësve shqiptarë të dalë nga inkubatori i periudhës post-komuniste. Eshtë kriza e klases së re kapitaliste, e improvizuar gjatë viteve të pafundme të tranzicionit, e cila ka shumë pak ose asgjë të përbashkët me parimet dhe vizionin e shoqërive kapitaliste perendimore.
E them këtë sepse ishte pikërisht kjo “elitë” e re dhe mediokre, e dalë nga hiçi, e cila nuk diti te vlerësojë dhe orientojë siç duhet energjitë dhe potencialin e madh të rinisë shqiptare në këto 30 vitet e fundit, që me të drejtë do të thoja i braktisi ata dhe vendin për nje jetë më të mirë dhe dinjitoze.
Sepse para se të mbërrinim në këtë pikë, më lejoni të pyes:
-Sa prej tyre i shpërblyen me një pagë të kënaqshme punonjësit që kishin?
-Sa prej tyre i trajtuan ata me dinjitet dhe personalitet?
-Mbi të gjitha, sa prej tyre ndoqën parime të drejta meritokracie për të promovuar dhe incentivuar më të mirët?
-Sa prej tyre siguruan orë dhe kushte po aq optimale?
-Le të mos pyesim pastaj, se sa prej tyre investuan që stafi të kualifikohej edhe më shumë, duke siguruar jetëgjatësi në këtë profesion?
Pak, për të mos thënë aspak.
Le të mos harrojmë se jo shumë kohë më parë, rroga e një kamerieri në një bar në mes të Tiranës ishte 15.0000 lekë në muaj, ndërsa në shumë nga resortet e jugut por jo vetëm, të rinjtë e punësuar paguheshin me rroga mizerabël dhe flinin në çadra kampingu, pa kushtet minimale higjenike dhe të jetesës.
Ndërsa dëmet e krijuara në kohë duken të vështira për t’u rekuperuar kjo nuk do të thotë se përpjekjet nuk duhen bërë.
Si?
Mendoj se duhet ngritur një mekanizëm i cili stimulon ato biznese që ofrojnë paga të larta mbi mesataren për punonjësit, kushte të mira pune, e që stimulojne dhe promovojnë me bonuse risurset humane.
Shteti mund dhe duhet të incentivojë ata sipërmarrës të cilët paguajnë mbi 70.000 – 80.000 lekë në muaj punonjësit. Do ishte ideale që pagat deri në 50.000 lekë të reja të zerohen nga niveli i taksave, ndërsa ato nga 50.000 deri në 90.000 lekë në muaj të taksohen me 5% dhe pagat me vlerë 90.000 deri në 120.000 lekë në muaj të taksohen me 9%.
Stabiliteti ekonomik, me të ardhura të mjaftueshme që konkurojne pagat në vendet e BE-sënë raport me kostot e jetesës, do ishte një mekanizëm i rëndësishëm për të kontrastuar fenomenin e ikjes nga vendi. Jo vetëm kaq, dalëngadalë për një target të caktuar, do krijonte kushte edhe për t’u rikthyer të ikurit.
Sigurisht, nuk mjafton vetëm dëshira e një sipërmarrësi për të paguar mirë, duhen parë dhe mundësitë e tij.
Edhe pse më i vështiri, modeli i biznesit që arrin të krijojë një produkt cilësor dhe konkurues kundrejt vendeve perëndimore, duke shfrytëzuar regjimin e favorshëm fiskal dhe krahun e lirë të punës në vendin tonë është ai i duhuri. Krijimi i një produkti konkurues në çmim dhe cilësi për vendet e sipërpërmendura, do ishte formula e duhur për paga më të mira për punonjësit, taksa për shtetin, e patjetër të ardhura të kënaqëshme për cdo sipërmarrës. Në këtë logjikë, gjykoj që shteti duhet patjetër të stimulojë dhe të inkurajojë atë kategori sipërmarrësish që paguan rroga mbi mesataren.
Që të jemi të sinqertë, sot në Tiranë, në kushte minimale, nuk mund të mbijetosh pa të paktën 50.000 lekë në muaj. Në mendimin tim, që një njeri të jetojë me pak dinjitet, paga minimale duhet të jetë 70.000 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat mesatare për frymë duhet te jenë nga 70.000 deri në 100.000 lekë në muaj.
Uroj që teksa hedhin sytë nga Bangladeshi apo Filipinet për të kërkuar punëtorë, apo më keq akoma kur çojnë në mendje mbylljen e bizneseve për mungesë të stafit, elita jonë kapitaliste të ketë kuptuar gabimet e pandreqshme të së shkuarës.
Sipërmarrja, vendimarrrja dhe mbi të gjtha PAARAJA, me gjithë pushtetin e padiskutueshëm që derivon, janë përgjegjësi e madhe shoqërore. E them këtë pasi pushteti i tyre që kontrollon dhe influencon jetën e 90% të shoqërisë, mund të kthehet në një armë të rrezikshme me pasoja të rënda në shoqëri, ose në të kundërt mund t’i japë asaj prosperitet dhe siguri.
Duhet që së pari ta fillojmë nga vetja! Paguajmë, vlerësojmë, respektojmë punën e çdo punëtori që rrit biznesin tonë dhe më pas kërkojmë llogari sa të duam!
Mos harrojmë, që sipërmarrja është mision, ndërsa paraja dhe pushteti janë përgjegjësi shumë e madhe ndaj vetes dhe të tjerëve, ndaj dhe nuk mund të rrinë në duart e gjithkujt.
Shqipëria ka patjetër shumë sipërmarrës të ndershëm dhe vizionarë, ndaj nuk do doja në asnjë mënyrë t’i fusja të gjithë në të njëjtin kallëp, por mendimi im është që kriza e mungesës së punonjësve është një krizë e shkaktuar edhe nga vetë sipërmarrësit, natyrisht jo të gjithë. Ndërsa gjendemi në ngërçin e zgjidhjes që shpesh e kërkojmë tek politika, unë besoj se biznesi ka aftësinë, kurajon, mundësinë dhe kapcitetet të bëjë atë që ndoshta në 30 vite politika nuk ja doli ta bënte. T’u ofrojë shqiptarëve një mundësi më shumë.\JavaNews