Home KRYESORE Tabaku: Nuk e sulmoj Berishën. S’e pranoj luftën brenda llojit në PD

Tabaku: Nuk e sulmoj Berishën. S’e pranoj luftën brenda llojit në PD

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka folur këtë të shtunë mbi situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike, dhe krizën e brendshme brenda saj.

Teksa tha se kriza brenda PD nuk zgjidhet para zgjedhjeve lokale, Tabaku në një intervistë në news 24  shtoi se duhet që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët.

Ndër të tjera Tabaku, deklaroi se ajo nuk mund ta sulmojë kreun e PD, Sali Berisha pasi nuk mundet që ta pranojë që në Partinë Demokratike të ketë luftë brenda llojit.

“Kriza në PD nuk është zgjidhur për një vit e pak dhe nuk do zgjidhet para zgjedhjeve lokale, besoj deri në fund se PD duhet të dalë me një kandidat. Mendojmë ndryshe dhe mendoj se PD ka një potencial të jashtëzakonshëm që nuk po e shfrytëzojmë. Duhet medoemos që të nxjerrim një kandidat të përbashkët, çdo diskutim tjetër është një debat i kotë dhe jo në shërbim të qytetarëve. Qytetarëve u intereson të mos largohen nga Shqipëria dhe të kenë një alternativë fituese.

Shpresën nuk e jep qeverisja në vitin e saj të nëntë. Ne nuk jemi duke bërë gjënë e duhur, PD duhet të ketë një përqasje tjetër në të bërit opozitë, duhet të ketë një rinovim. Duhet të fokusohet te tërheqja e të gjitha shtresave të shoqërisë. Ne nuk jemi duke e bërë këtë akoma. Jemi duke thënë se sa keq e bën qeveria por ne duhet të tregojmë alternativën tonë, me një gjuhë që përçon standardet për të cilat është krijuar PD. Mendoj që qasja që duhet të kemi të jetë totalisht e ndryshme në mendësi dhe në reflektimin e asaj që presin shqiptarët.

PD nuk e ka problem të mbledhë dhe të mobilizojë njerëz. Kemi pasur protesta edhe më parë me shumë njerëz. Pyetja është çfarë ndodh pas. Nuk e ka pasur në korrik, e nuk ka për ta pasur asnjëherë, problemi është si të rrëzojmë qeverinë me votë. Nuk e di nëse protesta e fundit ndryshoi diçka.

Nuk është e mjaftueshme mënyra që po përdor PD sot, nuk e kam sulmuar kurrë zotin Berisha, nuk e bëj dot këtë. Gjykoj që pavarësisht të gjithave PD nuk është ku duhet të jetë, opozita nuk mund të ketë një besueshmëri më të ulët se qeveria pas 9 viteve në pushtet. Nuk e pranoj dot që të ketë luftë brenda llojit në PD.

I njoh kandidatët për primaret dhe besoj se Erion Veliaj është kandidati më i lehtë i mundshëm për tu mundur, nuk e prisja kurrë që në komisionin hetimor të thoshte dikush që ka shkelur ligjin, ai e bëri këtë. E kam parë dhe e di si funksionon gara për bashkinë, mobilizimi i të gjithë faktorëve opozitarë dhe ofrimi i një alternative ndryshe nuk kanë shkuar si duhet.

Buxheti ka pasur një debat që nuk u shpjegoi qytetarëve që dështoi për tu ofruar një alternativë në këtë krizë, qeveria theu ligjin e artë të mos rritjes së taksave në kohë krizë. Qeveria ka dështuar të jetë mburojë për qytetarët dhe bizneset e vogla ë këtë periudhë të rritjes së çmimeve, Ne do paraqesim amendamente për buxhetin në pikëpamjen e shpenzimeve. Kompanitë e karburanteve kanë bërë biznes me krizën dhe ato duhet ta kthejnë pas këtë fitim që kanë marrë. Agresioni rus ka pasur ndikimin e tij në ekonomi, por qeveria duhet të bëjë diçka ndryshe dhe të vendose buxhetin në shërbim të qytetarëve”, tha Tabaku.

Share: