Home Gjeo-Ekonomia A ka kuptim të protestosh në 6 Dhjetor 2022?

A ka kuptim të protestosh në 6 Dhjetor 2022?

Në datën Gjashtë, të Muajit të fundit të vitit 2022, do zbresin në Aeroportin “Nënë Tereza”, burra shteti të rëndësishëm dhe të parëndësishëm. Për tu takuar mes veti dhe për të ndërtuar një strategji sa më të efektshme: Për sherrxhinjtë e Ballkanit Perëndimor.

Por mbi të gjitha, ata, Burrat e Shtetit, do të vijnë që të sjellin Frymën dhe mbështetjen direkte të Bashkimit Europian, në të vetmin Vend Ballkanik, anëtar të Natos, me Konsensus pro Nato, mbi 70-80%…

Ata kanë zgjedhur Tiranën. Dhe ky është një sukses i Tiranës zyrtare të këtyre 30 viteve. Nga Berisha i Parë e deri te Rama i Tretë, me të mirat dhe me marrëzitë e veta (të njohura dhe të panjohura).

Përtej fjalëve, komenteve dhe teorive konspirative, Parisi dhe Berlini, domethënë themeli ku mbështetet sot Brukseli, kanë gjykuar që kryeqyteti shqiptar, i plotëson kushtet e mikpritjes, sepse është kryeqyteti i një vendi të rrethuar me bashkombasit e vet dhe që nuk ka rrëfyer ndonjë nacionalizëm zjarr vënës në Ballkanin e barutit.

Ndoshta kjo nuk është ndonjë meritë e madhe për Doktrinën Shqiptare të Shqipërisë Reale, porse për Europianët na bën të pranueshëm dhe më afër se të tjerët në modelin Zvicerian të bashkëjetesës.

Çfarë duhet të bëjmë ne shqiptarët të ndarë në formacione politike radikale ndërluftuese?

Ne shqiptarët e kacafytjeve shekullore ndërklanore, çfarë duhet të rrëfejmë më 6 Dhjetor 2022?

Në këtë datë unike dhe të pandodhur kurrë, kur 27 burra shtetesh zbresin në Nënë Tereza dhe jo në aeroportin Edi Rama?

Sepse asnjëherë më parë në Historinë modeste të shtetit të ri e modern shqiptar, nuk ka ndodhur të vijnë kaq shumë burra shtetesh, në një datë të vetme, duke respektuar si asnjëherë, Tokën Arbërore. Sigurisht, duke shkaktuar një xhelozi të tmerrshme te fqinjët tanë, që në thelb nuk e njohin arsyen e Egzistencës së Kombit tonë, ndërkohë që të 27 burrat e shtetit, do të dëshmojnë krejt të kundërtën!

Çfarë duhet të bëjmë pra? Të zgjedhim Politikën e ditës, apo të zgjedhim shansin që të rrëfejmë sa e meritojmë në të vërtetë këtë respekt?

Doktori na fton të protestojmë, për të bindur europianët se bëjnë gabim që vijnë në Tiranën e korrupsionit dhe që pranojnë qokat mikpritëse të Ramës!

Doktori na fton nëpërmjet lojra opozitare fjalësh:që“t’ja prishim festën” Ramës!

Por në të vërtetë kjo do të rrëfente se, Ne shqiptarët, nuk jemi shtet dhe nuk kemi shtet! Dhe kjo paradigëm e urryer që na persekuton prej një shekulli, është shumë përtej Berishës dhe shumë përtej Ramës!

Thënë kjo, përsëri nuk do të mund të isha kundër një Proteste, që do ishte në thelb një manifestim paqësor, proeuropian dhe antiRama.

Por, nëse ndodh kjo formë proteste, manifestuesit paqësor, do të dëshmonin të kundërtën e qëllimit të mbajtjes së vetë Protestës, do të dëshmonin që Shqipëria, nuk është një regjim, por në të kundërt,  është një demokraci funksionale, ku edhe protestohet…

Oksidentalët janë mësuar me këto. Në çdo Samit të Natos, ka gjithmonë ca qindra pacifist që protestojnë në emër të paqes. Në çdo Samit të G20, ka mijëra anti-kapitalistë apo ambientalistë që protestojnë me pankarta përtej kordonit të policisë.

Protesta të toleruara këto, madje kartolina me ngjyra, të fasadës demokratike, edhe në vendet më militariste të botës.

Mirëpo Doktori na fton të protestojmë me çdo kusht!

Përse me 6 Dhjetor, kur ka edhe 364 ditë të tjera?!

Sigurisht për të treguar botërisht dhe faqe burrave të shtetit që do mblidhen në Tiranë, se ay, Doktori, është një faktor i rëndësishëm, stabiliteti apo turbulence…

Sepse mendon Ay, Doktori pra, që ka gabuar kush ka gjykuar pa themel, se Berisha na paska vdekur politikisht…

E pra, nëse protestojmë në 6 Dhjetor, duhet të protestojmë për të vërtetuar këtë ekuacion politik të Doktorit, sepse për Opozitën vendos vetëm ai!

Të tjerat janë Fjalë!

Por kjo është një temë tjetër, e vlertë për tu analizuar njëherë tjetër.

360grade.al

Share: