Home KRYESORE “Dëshmitarja” një film nga regjisoria Klodi Kadillari

“Dëshmitarja” një film nga regjisoria Klodi Kadillari

Drejtor Prodhimi: B.Xh Company- Enrico Armentano
Drejtor Fotografie: Blerim Nuka
Konsulent Giovanni Sechi

-Si lindi idea për të realizuar këtë film që flet për ngjarjen e viteve 98/99 në Kosovë?

Skenari flinte te unë që nga momenti që njoha Kosovën pas traumave që lufta la mbi këtë tokë dhe te ajo popullatë ku pjesa që u lëndua më shumë ishin fëmijët, gratë dhe mosha e tretë për mos folur më për çdo qytetare.Kjo ishte një ndër arsyet e mia dhe një lloj amaneti brënda meje për të marr kamerën së bashku me Blerim Nuka dhe për tu nisur drejt vendeve të xhirimit ku në këtë rast është Gjakova.

-Cili është fokusi në këtë skenar?

Fokusi i kamerës time ishte që përmes një rrëfimi të përcjell përjetimet e shumë grave që sot jetojnë në katrahurën e traumave, post/traumave dhe të braktisjes nga shoqëria, opinioni publik dhe nga bashkëshortët. Përmes një rrëfimi në shtëpinë e prindërve një femër e përdhunuar mbas shumë torturave psikike, shpirtërore dhe fizike e gjen guximin dhe kurajon të lirohet nga hallkat e zinxhirëve që e mbajnë peng dhe të dal në të vërtetën që dhëmb por në fund të bën të ndihesh mirë me vetveten.

Përmes këtij skenari narrative kam dashur të jem krahë dhe mbështetje për shumë gra që vuajnë sot post-traumat e luftës për ti fuqizuar dhe për mos u ndjerë në faj se janë viktima të përdhunimit pasi lufta një nga problemet që shkakton mbas humbjeve njerëzore janë përdhunimet dhe lëndimet fizike dhe shpirtërore, ku për mua si artiste mendoj se lëndimi shpirtëror është një plagë që mban dhe zhvillon një infeksion të vazhdueshëm që infekton edhe njerëzit që i qëndrojnë pranë nëse nuk arrihet të kurohet.

Sa do ndikojë te organizatat e grave flasim për organizatat në mbrojtjen e viktimave të përdhunimit dhe dhunës?

Eshtë një film që flet qartë dhe shpreh simbiozën që qëndron në bërthamën e dhimbjes njerëzore ku një femër kërkon të marr frymë e qetë dhe të ndihet e barabartë me seciln grua që nuk ka përjetuar këto trauma dhe mbi të gjitha ti rikthehet jetës normale përkrah bashkëshortit dhe të jetë zëri i saj, dashuria e saj njëra nga kollonat që mbajnë trarët e një shtëpie.

Nëse një grua ngrihet në këmbë dhe gjen forcat duke u mbështetur fillimisht nga familja, nga bashkëshorti nga opinioni publikë atëhere do kemi më pak organizata në ndihmën e grave pasi sa më shumë mbrojtje dhe siguri që të jep familja aq më pak dhunë fizike dhe psikike do ekzistojë.

Aty ku ndihet siguria aty qëndron liria, aty qëndron çelsi i komunikimit pasi dialogu është baza e zgjidhjes së problemeve. Nëse sot gratë heshtin dhe flen me traumat ato nuk mund ti sigurojnë vetvetes një jetë të qetë sepse qarku i jetës vjen e mbyllet në errësirën e madhe ku edhe nëse e shikon me syte e nënvetëdijes çelsin që lëshon dritë sërish nuk je në gjëndje ta ndezësh atë dritë.

Familja është ajo që të fuqizon dhe të bën të ndihesh e sigurtë në çdo hap dhe, kur një femër shkon ashtu sikurse ndodh në filmin tim në shtëpinë e prindërve dhe aty nuk jeton më askush veç aroma dhe kujtimet e mbetura atëhere pyetja ime është kush duhet ta përkrahë këtë femër? Bashkëshorti që nuk pranon faktin se gruaja është e përdhunuar apo opinioni që e ngarkon me ndjenjën e dëbimit vetëm se është viktimë e përdhunimit?

Premiera u mbajt në Gostivar në Ditën e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave

-Po dhe në këtë premierë përjetova nga afër emocionet pa filtra, frymëmarrjet, psherëtimat dhe lotët e grave që ishin të pranishme. Aty si artiste kuptova se misioni im ishte realizuar sepse arrita të merrja frutin dhe tashmë kërkoj që këte frut ta ndaja nëpër festivale të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Arti ka si mision të përcjell informacion, histori, realitete mbi atë çfarë ka ndodhur nëpër vënde dhe shtete të ndryshme.

Lotët e grave shqiptare në Republikën e Kosovës janë lotët e mia janë lotët e secilës femër pa dallim ngjyre, rrace, religjioni. E kam shprehur edhe e përsërisë se gratë shqiptare, nënat tona janë gra që kanë kapërcyer ferrin e diktaturës, ferrin e luftës dhe janë gra që kanë ditur të ngrihen sërish në këmbë pa u ankuar për dhimbjet e shpirtit sepse brënda tyre qëndron paqja e heshtur e cila nuk bën zhurëm brënda zemrës së një nëne.

Share: