Home Gjeo-Ekonomia Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u prit në një takim të veçantë nga...

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u prit në një takim të veçantë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, SH.S. Znj. Vjosa Osmani Sadriu.

Në vijim të vizitës zyrtare në Prishtinë, delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), u prit në një takim të veçantë pune nga Presidentja e Republikës së Kosovës, SH.S. Znj. Vjosa Osmani Sadriu.

Gjatë këtij takimi, u shkëmbyen mendime e vlerësime në lidhje me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, si dhe sugjerime mjaft të vlefshme për bashkërendimin e përpjekjeve e iniciativave, në funksion të zgjidhjes së situatës së krijuar në veriun e Kosovës, si dhe të avancimit të përmbushjes së objektivave eurointegruese të vendeve tona.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerësoi kredencialet demokratike të Republikës së Kosovës, si një shembull për të gjithë rajonin. Në këtë kontekst, u vlerësua si një ngjarje sa historike, aq edhe e argumentuar e plotësisht e mbështetur në arritjet e standarteve të kërkuara evropiane nga ana e Republikës së Kosovës, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Anëtarët e KASH dhe Presidentja Osmani theksuan rëndësinë e përqëndrimit të të gjitha përpjekjeve në drejtim të negociatave Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundër përpjekjeve te Beogradit, edhe nëpërmjet veglave të tij në veriun e Kosovës, për të përshkallëzuar artificialisht tensionet, me qëllim bllokimin e negociatave për normalizimin dhe njohjen reciproke të dy vendeve, që do të shërbenin për forcimin e mëtejshëm të paqes, sigurisë e zhvillimit ekonomik të të gjithë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se unifikimi i faktorit politik shqiptar dhe kapërcimi i ndasive politike për përballimin e situatës së krijuar me Serbinë, janë me një rëndësi themelore kombëtare.

Presidentja Osmani u shpreh se ndjek me vëmendjen më të madhe veprimtarinë e KASH dhe vlerësoi rolin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë në këto momente delikate për Kosovën. Presidentja kërkoi një angazhim edhe më të madh për të ndihmuar me përvojën dhe kontaktet tona, por edhe me vlerësime gjeopolitike, në mbështetje të Kosovës dhe institucioneve te saj.

Share: