Nga Artur ZHEJI
Në të vërtetë, po të shohësh, Sali Berisha, del mesatarisht një apo dy herë në ditë në media, pa llogaritur performancën e vet agresive në Kuvend.
Në të vërtetë, “gjëma që i bëri Lulzim Basha”, ishte një “dhuratë nga Zoti”, për Berishën, që e vuante shumë dhe në heshtje, mungesën e protagonizmit, sepse sapo ju dha rasti, apo sapo u lëndua, fillimisht u tkurr, por më pas filloi një maratonë politike të pandalshme, duke befasuar shumëkënd me energjinë shpërthyese, që ja mbrriti të çlirojë.
Nuk po i hyjmë diskutimit nëse “energjia” e tij, ishte pozitive apo negative, në frymën e Kohës, apo kundër frymës së Kohës, porse energjia ishte e madhe dhe, si gjithmonë sulmuese dhe agresive.
Pavarësisht kush është shënjestra!
Pavarësisht nëse është regresiv apo progresiv, Saliu e di mirë, se: “forca është gjithshka!” ndërsa qëllimi edhe motivi, edhe kur nuk është, mund të sajohet. Dhe Doktori, ushtrimin e forcës, e ka specialitet të vetin, kjo dihet dhe mjerë ata që e sfidojnë. Karrierat e tyre marrin fund. Historikisht ka ndodhur kështu.
Pastaj, në një kohë të dytë, me këmbë zvarrë dhe me sy plot lakmi për të mbijetuar, ata, të mundurit e shumtë nga Saliu, zvarriten pas Hijes së tij, duke u shndërruar në berishistë të pavlerë. Ose e thënë ndryshe : Në hijet, që rrinë pas, Hijes së tij…
Pra sot, Berisha, është i kudondodhur dhe bubullitës.
Ndërkohë, që Partia Demokratike, vetëm tkurret, sepse personalitet ose pseudo personalitetet brenda saj, thinjen e plaken si hije berishiste dhe aty mbyllet trajektorja e tyre.
Dhe kështu PD-ja e Doktorit, është më së shumti një parti berishiste, që merr frymë sipas ritmit të tij, flet si ay dhe hesht kur ay, vendos të flasë.
Pjesa gri, apo pjesa e Qendrës së Djathtë, nuk ka më vend aty, sepse edhe aty, ështe Doktori. Të Djathtët historikë, janë shndërruar në folklorikë, që ose mbijetojnë si zëra të vetmuar, ose duhet ti thurrin lajka Saliut, se edhe aty, ay është i Pari vendit.
Partia Demokratike, është shndërruar rreptësisht në një parti njëngjyrëshe: berishiste dhe kaq!
Dhuratë e madhe kjo për Km-në, që politikisht duhet ti druhet “banorëve të planetit” gri, të cilët ndjehen të papërfaqsuar dhe jetimë.
Po kush pyet për ta?
Gëzimi dhe hareja politike e Doktorit kampion mediatik (pavarësisht konsumit), nuk ka as kohë, as interes dhe as nerva, për të “llastuarit” e shumtë të planetit Gri, që u rritën që bebe me Saliun dhe po thinjen përsëri me “thirrjet për revolucion!” të Berishës së rilindur.
Ndërkohë Km-ja, dukshëm e fsheh gëzimin e tij, për “revolucionin berishist” që po afron…
360grade.al