Kreu i PD, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat këtë të hënë ku po flet për protestën e opozitës të thirrur ditën e nesërme, kur në Tiranë do të zhvillohet samiti mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Berisha tha se nesër populli opozitar do të mbushi rrugët e sheshet e Tiranës në një protestë të fuqishme në mbrojtje të vlerave europiane, që sipas tij janë rrezikuar nga kryeministri Rama.
“Por nesër ne, populli opozitar, do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste, në një protestë të fuqishme pikërisht në mbrojtje të vlerave evropiane, tmerrësisht të rrezikuara dhe kërcënuara nga Edi Rama dhe regjimi i tij. Çdo shqiptar që e do këtë vend, që do lirinë, dinjitetin njerëzor, të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij në liri, dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë, bashkohet nesër në shesh me ne, për t’i dëshmuar, lidershipit evropian se ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së lirë të shqiptarëve, Edi Rama. Për t’i dëshmuar lidershipit evropian se njeriu që qëndron si përfaqësues i Shqipërisë në atë samit, e ka pushtetin të ngritur mbi dhunimin e votës së lirë të shqiptarëve. E ka pushtetin të ngritur mbi drogën, trafiqet, mbi narkoshtetin që ka ndërtuar në Shqipëri. E ka pushtetin dhe karrigen e tij të ngritur mbi vjedhjet e mëdha, të paimagjinueshme për një vend evropian, që u bën qytetarëve shqiptarë. Është e vërtetë që ai ulet aty si kryeministër i Shqipërisë, por është e vërtetë se ai ulet si kryehajdut i Shqipërisë gjithashtu.
Ju keni konstatuar këto ditë, se si këta bosë të mafias shqiptare, ballkanike dhe evropiane, janë tronditur gjer në palcë nga vendosmëria e opozitës për të dalë në protestë. Se si këta, përpiqen të përdorin samitin për të shtypur dhe mohuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Se si këta janë tmerruar nga protesta, e cila do i dëshmojë lidershipit evropian, se Edi Rama është njeriu i dhunimit të votës, i lidhjeve të krimit. Ai i ka shndërruar shqiptarët në njerëz të varkave ”-tha Berisha.