Nga Akad. Av. Anton Bibë Gjetë LLESHAJ
Në aktivitetin e fundvitit, të promovimit të Nr. 36 të Revistës “Mirdita”, -tashmë prej afro një dekade në qarkullim aktiv- organizuar nga Akademia e Artit, Shkences dhe Letrave “Mirdita” me Kryetar – ishdrejtorin e Pallateve të Kulturës Mirditë e Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kukësit për 13 vite – Akad. Pjetër MARKU, e Sekr. e kësaj Akademie, gazetarin z. Aleksandër NDOJA, kisha nderin të merrja Titullin “MISIONAR I PAJTIMIT” / Me përkushtim të veçantë punoi e luftoi dhe arriti rezultate të shkëlqyera për pajtimin e hasmërive, zgjidhjen e konflikteve, mërive dhe mosmarrëveshjeve, në territorin e Mirditës (dhe jo vetëm, do të shtoja unë 🤓).
Së pari do të doja të falenderoja Akademinë mirditase e cila përkujton vlerat historike e kontributet që aktivistë të ndryshëm kanë dhënë në fusha të ndryshme të shoqërisë, si në arsim, art, kulturë, muzikë, krijimtari, studime, shkencë… e posaqërisht për aktivitetin e “pajtimit të gjaqeve”, siç edhe njihet si term në krahinën e Mirditës.
Së dyti, do të ishte disi e pandershme, të mos kujtohen në këtë shkrim misionarët e vërtetë, në kuptimin e prijësve që shtruan themelet e kulturës e traditës së pajtimit, të cilin e gjejmë si institucion përbashkues që nga Gjergj Gjon KASTRIOTI, SKËNDERBEU, ku u përpoq e arriti të vëllazëronte princërit arbnorë; Pashko VASO, ideologu i Lidhjes së Prizrenit i cili përpara se të ndërlidhte 4 vilajetet iu desh të bënte një fushatë disavjeçare për të zhdukur hasmëritë; Bardhok BIBA në Kuvendin e Shpalit -e më gjërë- ku pajtoi gjaqe e gjer në fund të jetës së tij luftoi që të zhdukej vëllavrasja; e deri së fundi tek Anton ÇETA, folklorist e akademik i cili arriti që të mblidhte në shtetin e sotëm të Kosovës (Dardani / asokohe nën regjimin diktatorial të ishjogusllavisë)afro gjysmë milioni njerëz në mitingun e pajtimit mbarëkombëtar.
Por le të kthehemi në Mirditën e viteve 2000 kur në “Fondacioni Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” (FZKPM) nisa punën si Kordinator i kësaj OJQ-je të themeluar që në 1995-ën.
Është e rëndësishme të zhvendosemi në kohë e në hapësirë për të kuptuar problematikat e periudhës së këtij viti, të ndikuara nga një sërë faktorësh, disa prej të cilëve ishin:
-Ndryshe nga Gjermania e pas viteve 1945, ku një anëtari të partisë nuk i lejohej më të ushtronte funksione publike, ku përjashtoheshin edhe profesionet gjykatës, avokat, mësues, etj., në Mirditën e postkomunizmit, ashtu si në gjithë Shqipërinë, drejtimin e sistemit demokratik e morën pikërisht ishkryetarët e koperativave bujqësore, ishasekretarët e Partisë Komuniste, ishbashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit, e deri tek ishdeputetë e ishministra të atij sistemi. Pra, nuk kishim të bënim me një demokraci, por me ndryshim teser partie dhe vazhdimësinë e të njëjtit sistem. Kjo solli që ish të përndjekurit politikë të shtypeshin sërish nën një komunizëm modern, tashmë nga shefa komisariatesh, Kryetarë Komune, Kryetarë Bashkie, Deputetë etj. çfarë përqasja persekutuese e të cilëve në të konceptuarën “Demokraci”, solli në jo pak raste vetëgjyqësi.
- Ligji famëkeq Nr.7501, datë 19.7.1991 “PËR TOKËN”, nuk u zbatua në bazë të trashëgimisë së ishpronarëve, por shpesh nëpërmjet aferave korruptive, ose për frymë, çfarë hapi një plagë të re vetëdrejtësie prej trashëgimtarëve të vërtetë të cilëve duhej tu përkiste.
- Ngjarjet e Marsit të vitit 1997, shpërthimi i “depove të armatimit” sollën lehtësinë e të pasurit një armë në duart e personave jokompetentë e shpeshherë fëmijë, ku rrjedhimisht nisën dhe fenomenet si: kërcënime, kanosje me armë, plagosje nga pakujdesia, plagosje, vrasje nga pakujdesia, e gjer tek vrasjet me paramendim si gjakmarrje, jo rrallë si rikujtesë e hasmërive të vjetra që sistemi i ashtuquajtur monist, i kishte zhdukur.
- Mund të rendisim si faktor dhe lajthitjen e teorisë “Zero”, në bazë të së cilës ishte rrafshimi i gjithçkaje që ishte ndërtuar gjer në vitin 1990, teori dyshuar se u fut e u pagua të përhapej nga komponentë të huaj por që u promovua nga deri deputetë të parlamentit, u zbatua kryesisht nga injorantët ose ish anëtarët e Partisë Komuniste për të treguar se po përfaqësonin partitë e reja të sapokrijuara ku morën edhe poste: u prishën rreth 700 fabrika, u prenë pemët, u prenë hardhitë, dikush hoqi e theu madje edhe “tjegullat komuniste” apo preu “grurin komunist” që e kishte mbjellë, ujitur e rritur vetë; kur mund të merreshin frutet e gjithë asaj ekonomie që u shkatërrua. Në këtë realitet të ri mbijetese, një pjesë e shoqërisë u “detyrua” të grabiste, të vidhte, të priste drurët e tokës së huaj, e deri nëpërmjet “martesave të shpejta” të kalonte në prostitucion.
Pa përmendur sa e sa faktorë të tjerë, mund të thuhet se nga viti 1991-2000 krahina e Mirditës ishte kaotike, shteti kishte rënë të paktën 2 herë dhe vetëgjyqësia ishte një lloj nevoje për mbijetesën e shoqërisë, shumë vrasje kishin ndodhur, qindra konflike ishin të hapura, plaga e gjakmarrjes kullonte jetë të humbura… Nderi, si gjëja më e shtrenjtë që një Mirditas mund të kishte trashëguar, paguhej me jetë njerëzore. Sa familje e fëmijë ishin të ngujuar…
Me “Themeluesin e Penalogjisë Shqiptare” z. Ismet ELEZI, e folkloristin Pal KUKA, u themelua pra ky Fondacion për faljen e gjaqeve, zgjidhjen e konflikteve, e patjetër -jo më pak të rëndësishmin, përkundrazi- parandalimin. Nuk mund të mohoj konsultimet përpara kësaj, me etnologun e antropologun Mark TIRTA, i cili është ekspert në Të Drejtën Dokesore Shqiptare.
Eksperienca si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Mirditë, në Rrëshen, nuk ishte e mjaftueshme për të patur rezultate të kënaqshme, as specializimi i një viti më vonë në Danimarkë për “parandalimin, ndërmjetësimin, zgjidhjen e konflikteve, mosmarrëveshjeve, pajtimin e gjakmarrjeve”, Kopenhagen 2001.
Nëse Anton ÇETA e kishte arritur bindjen e familjeve të dëmtuara për FALJE GJAKU me anën e kauzës së Kosovës e për hir të një Kosove të pavarur nga Serbia; Pashko VASO për hir të një Shqiptarie të pavarur nga Perandoria Osmane; Skënderbeu ia arriti që ta realizonte këtë qëllim me anën e lidhjeve martesore e vëllazërimit, strategji që e ka përdorur në jo pak raste edhe Bardhok BIBA në Mirditë; neve na duhej një ide origjinale, dhe zgjodhëm të ndiqnim anën e kundërt të kësaj linje. Përderisa Mirdita ishte kryesisht një krahinë endogame, -ku për shkak të ruajtjes së traditave, fesë e gjakut të pastër, martesat i ka kryer brëndapërbrënda 12 bajrakëve të saj- zgjodhëm të ndiqnim keto linja farefisnore duke gjetur persona të afërt e autoritarë që u ecte fjala, si tek familjet që duhej të bindeshin që ta kërkonin këtë falje, ashtu edhe tek pjesa më e vështirë: tek familjet që duhej ta pranonin FALJEN “për hir të ardhmërisë e brezit të ri!”, “Për hir të jetës!”, “Për hir të Jezu Krishtit”, “Për hir të fëmijëve!”…
Nuk po flas për procedurat e pajtimit, sepse nuk do të mjaftonte ky shkrim, por dihet që kodifikuesi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, Atë Shtjefën Gjeqovi u vra nga serbët e nuk arriti që ta përfundonte gjithë korpusin e vlerave tradicionale mesjetare të shoqërisë shqiptare, ndaj shpesh na është dashur të mbështetemi në tradita gojore nga paraardhësit, a më të vjetrit, sepse dihet që një pjesë mjaft e madhe e këtij Kanuni u mblodh në Mirditë, për më tepër, derës princërore mirditase i përkushtohet dhe një kapitull më vete “NYE I NJIQINDEPESËDHETËT. Dera e Gjon Markut.” ku në pikën Nr. 1126 përcaktohet se “Dera e Gjomarkut âsht themeli i kanûs.” Nga ana tjetër, roli mirditas krahas kësaj, përforcohet dhe nga pika Nr. 659 ku specifikohet se “Me ardhë per mik i Ohërnjani (i Thkellas) a në Mirditë a në Malsi të Lezhes e me ndollë aty edhè kush i Gjomarkaj, kryet e vendit e xên i Ohërnjani, mandej i Gjomarkaj- (Ket pûnë s’e bân kush prej nderjet.)
Sqarim: i Ohërjani – Kthellasit konsideroheshin deri vonë Ohërjanë ngase në ndarjen territoriale të Perandorisë Osmane u përfshinë në Sanxhakun e Ohrit. Ata iu bashkuan shumë vonë bajrakëve të Mirditës, dhe pse në kulturë, gjuhë, veshje, e doke, ishin në një kompaktësi të pandashme me ta.
Megjithëse si Kthellas isha biri i Mësuesit të parë të Shkollës së Prosekut, tek GJO-MARKU kisha Nënën, dua të them se puna 15-vjeçare nuk do të ishte ajo që është pa përkrahjen dhe përkushtimin e personave më në zë , më të nderuar, humanë, mendimtarë e të besës si: Pjetër BROZI, avokati i vjetër mirditas; Kryetarja e Bashkisë (së kohës) Znj. Marie BIBA, Shkrimtari Ndue DEDAJ, Prefekti Frdn NEZHA, Bardhok PULA, Gazetari Gjon MARKU, Ing. Pal BROZI, Bardhok Pjetër GJIKOLA, Nikoll Mark LLESHI, Dodë PËRSHQEFA, Zef Gjon MARKU, Gjin DODAJ ishkryetar i Komunës Fanë, etj. etj. etj.
Bashkëpunimi është shtrirë me pushtetin lokal, gjyqësor, prokurori, komisariate, me seminare në bashki e çdo komunë, Drejtori Arsimore, gjimnaze, shkolla… Asokohe pat marrë vëmendjen e ambasadorëve të huaj si norvegjez, suedez e gjermanë ku mund të përmendim z. Martin FRIC, Pjetër BLOMAJER, si dhe prokurorë e gjyqtarë të huaj.
Aktivitetet janë paraqitur që nga mediat lokale, e deri në televizionet gjermane, norvegjeze, suedeze e daneze, ku dua të veçoj një dokumentar për një pajtim gjaku të titulluar “Fundi i një gjakmarrje”.
Shkrimtari Ndue DEDAJ, në vitin 2010 do të botonte studimin “Kanuni mes Kuptimit dhe Keqkuptimit”, një studim që ai e ka thelluar gjer në kohët antike të Strabonit romak e Aristotelit helen, e që është sot për sot një nga studimet më serioze të kulturës shqiptare, cituar dhe nga juristë profesionistë në sa e sa artikuj e studime shkencore nga Profesorë e Profesoresha.
Nuk mund të lë pa përmendur që vitet e këtij aktiviteti aq humanitar e fisnik, i paraprinë dhe shtynë në ndryshimin e sistemit ligjor shqiptar, përkatësisht në Ligjin Nr.10 385, datë 24.2.2011 “PËR NDËRMJETËSIMIN NË ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE”, me përditësimet e mëvonshme, bazuar në nevojshmërinë e kauzave.
Duke falenderuar edhe një herë Akademinë e Artit, Shkencës dhe letrave “Mirdita”, bashkëkrahësit e Fondacionit, si dhe lexuesit që arritën gjer në fund të këtij shkrimi,
ju uroj mirënjohje e mirëkuptim.
Me respekt
Akad. Av. Anton Bibë Gjetë LLESHAJ